Friday, December 6, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeMAGAZINËTEKNOLOGJISTEM/ Programi i gjeneratës digjitale shpall fituesit e fazës së 2

STEM/ Programi i gjeneratës digjitale shpall fituesit e fazës së 2

Programi i gjeneratës së re digjitale në Shqipëri STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë), aplikimi i të cilit nisi vitin e kaluar pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Fondacionit Vodafone Albania dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ka përfunduar tashmë fazën e dytë të trajnimit të mësuesve e të nxënësve të moshës 12-18 vjeç, në 60 shkolla në mbarë vendin.

Ky projekt ka për qëllim zhvillimin e aftësive digjitale tek nxënësit, në mënyrë që ata të mendojnë zgjidhje inovative dhe të krijojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë, me ndihmën e teknologjisë.

Faza e dytë e këtij projekti u finalizua në eventin “STEM Next Generation – Aftësitë digjitale për Shqipërinë”, i cili u organizua në mjediset e Vodafone Albania, ku u prezantuan dhe u vlerësuan me çmime projektet koduese më të mira. Në këtë event ishin të pranishëm nxënësit e angazhuar me 10 projektet e përzgjedhura si më të mirat mes 60 shkollave konkurruese, përfaqësues të Vodafone Albania, Ministrisë së Arsimit, organizatës SciCo dhe partnerë të tjerë të STEM.

Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Balázs Révész, tha gjatë fjalës së tij se: “Teknologjia mund të na ndihmojë të zgjidhim problemet në shoqëritë tona, të ndërtojmë një planet e mjedis më të qëndrueshëm si dhe një jetë më të mirë në qytetet ku jetojmë. Ju do të jeni gjenerata e së ardhmes, do të jeni ata që do të mund të bëni diferencën. Ndaj vazhdoni hapni horizonte të reja përmes programit STEM. Jam i bindur se pas 10 vjetësh do ta shikoni veten në vendet e punës që po projektoni tashmë në mendjen tuaj, falë dijeve që po përvetësoni sot.”

Në fund të fjalës, Révész falenderoi të gjithë nxënësit për idetë e tyre të jashtëzakonshme, mësuesit që i kanë drejtuar ata, duke u hapur horizonte të reja, Fondacionin Vodafone Albania si dhe gjithë bashkëpunëtorët që janë bërë pjesë e këtij programi kaq të rëndësishëm për gjeneratën e re digjitale në Shqipëri.

E pranishme në këtë aktivitet, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga, tha se: “STEM ka hyrë tashmë në çdo pjesë të jetës dhe kurikulës sonë mësimore. Dua të falenderoj Fondacionin Vodafone Albania si një partner mbështetës i kahershëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit edhe në ditët tona më të vështira të pandemisë, duke na ndihmuar me fuqinë e teknologjisë. Ne po i pasurojmë dita-ditës shkollat tona me smart lab-e, me platformën digjitale SMIP, ku tashmë ofrohen edhe certifikatat, dëftesat dhe diplomat e gjeneruara me vulë elektronike e me regjistrime online, nëpërmjet sistemit e-Albania.”

Projektet e përzgjedhura si më të mirat, u vlerësuan nga juria, e përbërë nga 7 anëtarë, profesionistë të fushës, mes tyre dhe Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania.

Vendin e parë e fitoi projekti “Kubi ëndërrues dhe ndriçimi i rrugës natën” realizuar nga nxënësit e shkollës “Fadil Gurmani” në Elbasan, drejtuar nga mësuese Bianka Latifi. Vendin e dytë e fituan nxënësit e shkollës “31 Korriku” në Burrel, drejtuar nga mësues Zenepe Dedja, me projektin “Eco House”, ndërsa vendin e tretë e fituan nxënësit e shkollës “100 vjetori” në Kamëz, drejtuar nga mësuese Davita Hajdari, me projektin “Shkopi i të verbrit”.

Për fituesit u shpërndanë edhe dhurata, përkatësisht Laptopë HP për ekipin e parë fitues; Tabletë Blackview për ekipin e dytë dhe Smartwatches Samsung Galaxy për ekipin e tretë fitues.

Generation Next është pjesë e Programit Skills Upload Jr., i cili financohet nga Fondacioni Vodafone Group, si pjesë e agjendës strategjike për aftësimin digjital në Evropë (duke investuar 40 milionë euro në tregjet evropiane), që po realizohet në harkun kohor të tre viteve. Aftësimi digjital është pjesë e objektivave të Vodafone.

Programi Generation Next, është projekti i parë i zbatuar në shkollat publike shqiptare me një kurikul të miratuar, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME