AKTUALITETTOP-NEWS

Banorët e Levanit dhe Farkullës së Madhe ngrenë alarm për ndotjen nga mbetjet urbane të përpunuara në zonë

Një situatë shqetësuese është krijuar në zonat e Levanit dhe Farkullës së Madhe, ku rreth 20 familje të komunitetit rom, të angazhuara në mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve urbane për riciklim, janë kthyer në burim ankesash për banorët e zonës.

Sipas banorëve lokalë, familjet në fjalë grumbullojnë kryesisht plastikë dhe metale për t’i shitur, ndërsa pjesa e mbetur e mbetjeve hidhet në ambiente të hapura përgjatë rrugëve, duke shkaktuar ndotje të vazhdueshme dhe probleme për komunitetin përreth.

Situata përkeqësohet edhe më shumë kur mbetjet grumbullohen në sasi të mëdha dhe bllokojnë qarkullimin në rrugë.

Në disa raste, banorët pretendojnë se mbetjet janë djegur në vend, duke krijuar tym të dendur që përhapet në të gjithë zonën dhe sjell vështirësi në jetesën e përditshme.

Banorët shprehen se kanë adresuar vazhdimisht shqetësimet e tyre pranë bashkisë, zjarrfikëses dhe policisë, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për zgjidhjen e problemit.

Ata sjellin si shembull edhe raste kur, sipas tyre, tymi i krijuar nga djegia e mbetjeve ka qenë aq i madh sa ka vështirësuar edhe lëvizjen e mjeteve të policisë në zonë.

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, si dhe masa ndëshkuese për çdo rast të ndotjes së ambientit dhe shkeljes së rregullave të bashkëjetesës komunitare.

Banorët apelojnë gjithashtu për një zgjidhje të qëndrueshme që do të shmangte përsëritjen e situatave të tilla dhe do të garantonte pastërtinë e zonës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button