Nga 16 maji nuk do të jetë më e detyrueshme mbajtja e maskës në fluturimet brenda Bashkimit Evropian. Këtë parashikojnë udhëzimet e reja për sigurinë në udhëtim, të hartuara nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (AESA). Megjithatë, pajisja mbrojtëse rekomandohet ende fuqimisht për ata që kolliten ose teshtijnë dhe sipas udhëzimeve “ajo mbetet një nga mbrojtjet më të mira kundër transmetimit të Covid-19”.
“Nga java e ardhshme, maskat nuk duhet të jenë më të detyrueshme në udhëtimet ajrore në të gjitha rastet, në përputhje me kërkesat në ndryshim të autoriteteve kombëtare në të gjithë Evropën për transportin publik,” – tha drejtori ekzekutiv i EASA Patrick Ky.
“Megjithëse rreziqet mbeten, ne kemi parë që ndërhyrjet dhe vaksinat kanë lejuar që jeta jonë të kthehet në normalitet. Edhe pse përdorimi i detyrueshëm i maskës në të gjitha situatat nuk rekomandohet më, është e rëndësishme të kihet parasysh se së bashku me distancën fizike dhe higjienën e mirë të duarve, është një nga mënyrat më të mira për të reduktuar transmetimin” – tha drejtori i ECDC Andrea Ammon.
Megjithatë rregullat për maskat do të vazhdojnë të ndryshojnë sipas linjave ajrore të cilat do të jenë të pavarura. Pasagjerët me probleme shëndetësore duhet të vazhdojnë të mbajnë maskë pavarësisht rregullave.