Beograd/ Dy protesta në Ditën e Vidovdanit, studentët kërkojnë zgjedhje të reja

Në kryeqytetin serb, Beograd, po zhvillohen dy protesta të ndara në Ditën e Vidovdanit, një nga festat më të rëndësishme kombëtare për serbët, që përkujton betejën e vitit 1389 kundër Perandorisë Osmane në Kosovë.
Njëra protestë po organizohet nga studentët që kanë bllokuar universitetet në mbarë vendin që nga fundi i vitit 2024. Ata kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe fajësojnë institucionet për shembjen tragjike të një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntorin e kaluar, që la pas vetes 16 të vdekur.
Protesta e studentëve, e titulluar “Shihemi në Ditën e Shën Vidit”, është planifikuar të nisë pasditen e së shtunës në Sheshin e Sllavija në Beograd. Ata i kanë vendosur Qeverisë një ultimatum që të plotësojë kërkesat e tyre deri në orën 21:00, duke përfshirë edhe ndërprerjen e tubimit paralel të mbështetësve të pushtetit.
Në anën tjetër, mbështetësit e presidentit Aleksandar Vuçiç janë duke u mbledhur para ndërtesës së parlamentit, ku planifikojnë të organizojnë një “mbrëmje letrare” si shenjë përkrahjeje për kreun e shtetit.
Presidenti Vuçiç ka deklaruar më 27 qershor se “ultimatumi nuk është pranuar”, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë lëvizje drejt shpërndarjes së parlamentit.
Ndërkohë, autoritetet serbe kanë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për përgatitje të “përmbysjes së dhunshme të rendit kushtetues”. Organizatorët e protestës së studentëve po akuzohen nga qeveria se po përgatisin akte të dhunshme, por vetë studentët kanë deklaruar se veprimtaria e tyre ka qenë dhe do të mbetet paqësore.