Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nëse do të fitojë zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2025, do të ketë një votim të dytë për zgjedhjen e kryeministrit. Në një intervistë për Syri Tv, Berisha deklaroi se opozita do t’i fitojë zgjedhjet, pasi Rama rri në postin e kryeministrit, pasi opozita nuk ngrihet në një lëvizje të fuqishme dhe të qëndrueshme. Vendimi i Berishës për një votim të dytë pas zgjedhjeve të përgjithshme, është për shkak të shpalljes non grata nga SHBA-ja dhe nga Anglia.
“Sali Berisha ka menduar këtë. Meqenëse ai problem ekziston atëherë shqiptarët do të votojnë. Kur Sali Berisha të fitojë zgjedhjet do të ketë një votë të dytë për kryeministrin. Po pse e nisi Sali Berisha këtë rrugë? E nisi këtë rrugë kur i kërkuan ti diktojnë parlamentit të këtij vendi. Por parlamentin se diktojnë kush kurrë sa të jetë një vend i lirë. Duke patur parasysh se ekziston ky problem unë do të pyes qytetarët shqiptarë, kaq. Dhe është zgjidhja më demokratike që mund të ekzistojë.
A mund t’i fitoj zgjedhjet? 100%. As mos e diskuto atë punë. Kalbësirë si Edi Rama, ai rri se nuk ngrihemi ne, por në qoftë se ngrihemi ne në një lëvizje të qëndrueshme absolutisht ai ia mbath si Arben Ahmetaj. Asgjë të fortë nuk ka mbi krimin. Ato që vendosen mbi krimin s’janë kurrë të forta. Ato duken të frikshme, të rrezikshme, dhe janë të rrezikshme, por s’janë të forta. Ato shemben dhe ne do t’i shembim” – tha Berisha.