Sali Berisha akuzon ambasadoren amerikane në Shqipëri, se po ndihmon Edi Ramën, që të marrë logon e PD-së. Sipas tij, shumica e deputetëve janë me PD-në, kurse një pjesë janë “masha” të qeverisë.
“Ata janë një mashë e tyre. Këtu është qeveria, që me çdo kusht, do që t’i rrëmbejë logon PD-së, pra Edi Rama, ndihmuar në mënyrën më absurde dhe më të papranueshme nga ambasadorja Yuri Kim” – deklaroi Berisha gjatë një interviste në RTSH.
Berisha thotë se grupimi tjetër në PD mund të garojë si fraksion.
“Statuti ka përcaktimet e veta. Ata janë anëtarë të PD. Në rast se dëshirojnë të bashkohen në këtë fushatë, ata kanë vendin e tyre të pamohueshëm, në rast se dëshirojnë të krijojnë fraksion, ata kanë vendin e tyre. Statuti nuk është Sali Berisha. Statuti është kushtetuta e PD dhe Sali Berisha është i detyruar të zbatojë çdo nen të tij” – tha Berisha.
Sipas tij, opozita tani është bërë tërësisht e besueshme dhe se të gjitha sondazhet janë në favorin e saj. Berisha nënvizon se opozita nuk është më një freskore e regjimit, por janë forca politike që qëndrojnë ballë për ballë, të vendosura për ta mposhtur regjimin.
“Ai (Rama) ka nisur turin e partisë shtet. Ai është turi i fundit i tij. I turpshëm, sepse po mbledh rrogëtarët, shkollat dhe qartë po garon si parti shtet. Nëse u referohemi sondazheve, sondazheve dixhitale, ka një prevalencë të plotë të opozitës mbi Ramën. Në sondazhe të tjera, rënia e tij është e lirë. Dhe po kështu, e lirë, është e rënia e qeverisë së tij” – tha Berisha.
“Nuk ka palë tjetër këtu. Ka qeveri dhe është dhe guvernatorja, Yuri Kim. Grupim tjetër në PD? Jo, ata janë një mashë e tyre. Këtu është qeveria që, me çdo kusht, do që t’i rrëmbejë logon PD-së, pra Edi Rama, ndihmuar në mënyrën më absurde dhe më të papranueshme nga ambasadorja, Yuri Kim. Ata janë anëtarë të PD, por ata që vazhdojnë të bëjnë ata lojë, ata bëhen mashë e Edi Ramës” – tha Berisha.