Kryetari i PD-së, Sali Berisha bëri akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama në një takim në Elbasan. I shoqëruar edhe nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Berisha tha se Rama mori peng Bashën dhe shkatërroi opozitën.
“PD-ja kaloi një periudhë të pashembullt, por e vërteta është se ajo përfundoi para alternativës ‘të jesh apo të mos jesh’. Kjo sepse njeriu që drejton ekzekutivin shqiptar është një njeri, politikan që nuk ka asnjë vlerë, asnjë parim, asnjë ideal, asnjë besim. Njeri i cili u vërsul mbi opozitën dhe shfrytëzoi dobësitë e drejtimit të saj.
Mori peng kreun e saj. Shkatërroi votën e shqiptarëve, u rrëmbeu votën, e zhvlerësoi, e përzuri votën nga partia e tij. Bëri që edhe në partinë tonë, 1958 të quhej 5200. Ky ishte realiteti. Por ne prapë u ngritëm me idealet tona, në kushte të vështira, në një mision që shumë e shikonin si të pamundur” – tha Berisha.
Sipas tij tani Rama po mban peng vulën dhe logon e PD-së me qëllim përjashtimin e saj nga zgjedhjet lokale.
“Jemi para një përpjekje antidemokratike, antikushtetuese të Edi Ramës për të përjashtuar nga zgjedhjet PD-në. Tani në emrin tuaj, në emrin e demokratëve shqiptarë dua ti them sot nga Elbasani; mos gabo se po luan me fatin tënd. Në jetën dhe traditën tonë ne kemi bërë gjithçka që forcat politike të votojnë të lira.
Nuk kemi menduar kurrë as të blejmë kryetarë opozite as të përpiqemi me makinacione të ulëta t’ju marrim logo dhe vulë, por i them këtu se në mënyrë absolute do të kesh fatin që meriton nëse guxon ti prekësh. Gjykata ja ka njohur PD-së. Ndalon regjistrimin e tyre se ke frikë dhe tmerr nga PD, nga populli opozitar.
Atëherë bëhu gati të përballesh. Ne do të fitojmë, ne do të marrim pjesë në zgjedhje, do të fitojmë Elbasanin, Tiranën, Durrësin, Korçën, Shkodrën, do të fitojmë qytetet e mëdha dhe të vogla të Shqipërisë. Do të përmbysim monizmin kudo që është” – tha Berisha.