Kur zgjedhjet lokale të 14 majit po afrojnë, kreu i PD-së, Sali Berisha ka ftuar në një debat publik, kryeministrin Edi Rama, pavarësisht se nuk dëshiron të ulet me të. Nga ana tjetër, kreu i PD-së ftoi edhe Erion Veliaj në një debat me Belind Këlliçin.
“Kandidatët e shpellës me kandidatët tanë në primare, çfarë epërsie morale kanë këta krahasuar me kandidatët e Rozetave të Edi Ramës. Kjo e ka tmerruar Edi Ramën. Imagjinoni ju Sakon e Durrësit me Igli Carën? Sako, e cila është thjesht një zyrtare në duart e mafies. Se aty po kërcet dajaku. Por unë jam që të shkojnë para ligjit ata. Kurse Igli Cara përfaqëson qytetarin e Durrësit, banorët e Durrësit me të gjithë problematikat që kanë.
Le të vijë Erion Veliaj në një debat me Belind Këlliçin. Nuk vjen kurrë. Ka tmerr nga fytyra e vet. Sepse ai në çdo fjalë që do nxjerrë në atë debat, do kujtojë minierën e tij të floririt që po vjedh shqiptarët. Do kujtojë tenderat-kallp, mashtrimet, vjedhjet e tmerrshme. Prandaj në këto zgjedhje janë të tmerruar. Pastaj në ia mbajtë, të vijë Edi Rama me mua në debat. Të dalë pak. T’i tregoj se sa i vlen lëkura atij. E ftoj, pavarësisht se nuk dua të ulem kurrë me të, por detyrimi ndaj qytetarëve më imponon”, u shpreh kreu i PD-së.