Thursday, April 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETBIRN/ Bashkitë ku palët përplasen më fort të dielën

BIRN/ Bashkitë ku palët përplasen më fort të dielën

Të dielën më 14 maj, qytetarët e Shqipërisë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 61 kryebashkiakët e rinj për katër vitet e ardhshme. Dy blloqet kryesore në garë në rang vendi janë Partia Socialiste në pushtet dhe koalicioni Bashkë Fitojmë, i udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta.

Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2021 konsiderohen një pikënisje për projeksione mes dy palëve kundërshtare dhe nëse merren të pandryshuara, ato i japin një avantazh të dukshëm Partisë Socialiste në 45 bashki të vendit, kundrejt 16 bashkive në favor të opozitës.

Megjithatë, rezultatet e 2021 tregojnë gjithashtu se në 13 prej këtyre bashkive, diferenca mes dy palëve politike ka qenë më e ngushtë se 5% e votave, duke sugjeruar se gara në këto bashki vazhdon të jetë e hapur dhe e fortë.

BIRN i analizoi rezultatet e vitit 2021 duke i kalkuluar të dhënat sipas konfigurimit aktual të forcave politike, me qëllim për të identifikuar zonat ku palët ndjehen “të sigurta” dhe ku ato mund të sfidohen. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 janë më të afërtat, gjë që i bën më të krahasueshme se sa zgjedhjet e shkuara vendore, ndërsa palët politike u rradhitën pak a shumë në të njëjtat pozicione siç janë edhe sot.

Gjithsesi, krahasimi i të dy zgjedhjeve nuk është tërësisht i vlefshëm për shkak se në zgjedhjet parlamentare palët angazhohen shumë më fort se sa në zgjedhjet lokale, ndërsa në këto të fundit, përballjet mes kandidatëve kanë veçori të ndryshme nga përballjet mes partive.

BIRN mblodhi bashkë votat e marra në nivel bashkie nga Partia Socialiste dhe aleatët e tyre të pashpallur, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit në njërin krah, si dhe votat e marra nga Partia Demokratike dhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim në krahun tjetër. Nga të dhënat e analizuara në këtë mënyrë, rezultati mes palëve del më i lartë se sa 5% diferencë në 48 bashki dhe më i ulët në 13 bashki.

Nga këto, Durrësi, Korça, Pogradeci e Kavaja janë nga bashkitë e mëdha ku rezultati i vitit 2021 ka qenë i ngushtë dhe ku supozohet se palët janë brenda marzhit të arsyeshëm për të ndryshuar rezultat. Në anën tjetër, Shkodra, Vlora, Berati e Kurbini janë bashki të mesme e të mëdha, në të cilat rezultati mes palëve ka qenë shumë i thellë, gjë që sugjeron se ndryshimi është shumë i vështirë.

Bashkitë e vogla kanë treguar në të shkuarën se mund të pësojnë ndryshime të mëdha në drejtim të votës, nga majtas në djathtas apo anasjelltas. Puka, Shijaku apo Mallakastra janë shembuj konkretë. Gjithashtu, zgjedhjet për pushtetin vendor mund të dalin ndryshe nga ato për parlament, në varësi të forcës së kandidatëve konkurrues.

Në zgjedhjet e vitit 2021 në nivel kombëtar, Partia Socialiste fitoi 48.7% të votave të vlefshme ndërsa aleati i saj jozyrtar, Partia Socialdemokrate, fitoi 2.25% të votave. Partia Demokratike dhe aleatët e saj fituan 39.4% ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi 6.8%. Partia Demokratike garoi bashkë me një koalicion partish të tjera të quajtur Aleanca për Ndryshim. Roli i këtyre partive në zgjedhjet e së dielës nuk është i lehtë për t’u vlerësuar, ndërsa pesha e tyre reale është e pamundur të dihet.

Rreth 128 mijë vota ose 7.7% shkuan për partitë e tjera të vogla ose ishin vota të pavlefshme.

Duke qenë se në 43 nga 61 bashki ka vetëm dy kandidatë, supozohet se votat që më 2021 u morën nga partitë e vogla, do të mund të ndahen mes dy kandidatëve në garë. Të dhënat e analizuara tregojnë se “të tjerët”, pra partitë e vogla jashtë PS+PSD dhe PD+LSI, kanë marrë më shumë vota se sa diferenca mes dy grupimeve të mëdha në bashki të rëndësishme si Durrësi apo Korça, gjë që e bën garën mes palëve në bashki të tilla të rëndësishme.

Nga ana tjetër, në disa bashki, si Tiranë, Vorë apo Rrogozhinë, makineria elektorale socialiste, elementë të së cilës janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, kanë pasur rol disproporcional në rezultat, vërejtur kjo nga numri i votave pëlqyese të fituara nga kandidati Ornaldo Rakipi.

Për shembull, PS fitoi zgjedhjet në Rrogozhinë me 50% të votave duke marrë 5537 vota. Nga këto, 1488 vota ose 27% të rezultatit të PS-së ishin vota pëlqyese për Rakipin. Në bashkinë e Vorës, PS fitoi 54% të votave, një diferencë e pazakontë prej 14% në krahasim me dy partitë kundërshtare, PD dhe LSI. Por nga 8,458 votat e marra nga PS në Vorë, 3,528 vota ishin pëlqyese për Ornaldo Rakipin, i ati i së cilit, Aqif Rakipi, u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor dhe blerje votash.

Në Vaun e Dejës, Partia Socialdemokrate mori në zgjedhjet e vitit 2021, 26% të votave, duke kapërcyer edhe vetë Partinë Socialiste. Të marra sëbashku, PS dhe PSD morën në këtë bashki 47% të votave, 2.8% më shumë se sa dy partitë e opozitës PD dhe LSI. Rrjedhimisht zgjedhjet në Vaun e Dejës duket se varen edhe nga niveli i angazhimit të makinerisë elektorale të PSD-së.

Zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri u zhvilluan në kushtet e pandemisë së COVID-19. Një vendim kontrovers i qeverisë në javën e zgjedhjeve për të vendosur regjim karantinimi udhëtarët nga Greqia, gjë që ka sjellë pjesëmarrje anomalisht të ulët në disa bashki të jugut, të tilla si Gjirokastra, Saranda, Himara apo Dropulli. Në Gjirokastër, PS fitoi me 6.6% diferencë më 2021, ndërsa në Himarë, me 21% diferencë. Heqja e kufizimeve të COVID dhe ardhja e emigrantëve për të votuar mund ta ndryshojë këtë rezultat, pavarësisht se sa i thellë është.

Rezultati i zgjedhjeve të së dielës ka gjasa do të varet gjithashtu edhe nga shkalla e pjesëmarrjes. Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore ka qenë historikisht më e ulët se sa në zgjedhjet parlamentare. Në zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja në rang kombëtar ishte 46.3%. Kruja e Tirana kishin pjesëmarrjen më të lartë me 56% ndërsa në krahun tjetër, Bashkia e Finiqit kishte pjesëmarrje vetëm 14% dhe Dropulli vetëm 15%, pasuar nga Himara me 26% dhe Saranda me 33%. /Marrë nga Reporter.al

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME