Bizneset e vogla, me xhiro deri në 14 milionë lekë rezultojnë më skeptiket për sa u përket niveleve të korrupsionit dhe reduktimit të barrës administrative, si rrjedhojë e marrjes së shërbimeve publike në mënyrë elektronike.
Të dhënat kanë dalë nga një anketë e Këshillit të Investimeve, e publikuar sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Investimeve, për cilësinë e shërbimeve publike digjitale sipas këndvështrimit të biznesit, e kryer në korrik të këtij viti.
56% e të anketuarve thanë se marrja e shërbimeve publike administrative në mënyrë elektronike e ka reduktuar barrën administrative për kompaninë e tyre, 36% thanë deri diku dhe 10% u përgjigjën që nuk e ka reduktuar. 79% e subjekteve që mendojnë se barra administrative nuk është reduktuar janë biznese me xhiro vjetore deri në 14 mln lekë të cilat ofrojnë shërbime.
44% e të anketuarve janë përgjigjur se marrja e shërbimeve publike administrative në mënyrë elektronike ka reduktuar praktikat korruptive në kompaninë e tyre, 34% thanë deri diku dhe 17% u përgjigjën që nuk i ka reduktuar.
Sërish bizneset e vogla janë më skeptiket. 72% e subjekteve që mendojnë se praktikat korruptive nuk janë reduktuar janë biznese me xhiro vjetore deri në 14 mln lekë dhe që ofrojnë shërbime.
37% e të anketuarve thanë se ishin të kënaqur me eksperiencën në platformën e-Albania dhe 41% ishin deri diku të kënaqur.
Bizneset janë më optimiste për pagesën e taksave online, me 45% që ishin plotësisht të kënaqur dhe 36% deri diku të kënaqur.
Edhe për fiskalizimin, 44% e të anketuarve ishin plotësisht të kënaqur dhe 34% deri diku të kënaqur.
Për platformën e-Albania, elementet më pak të vlerësuar në portal janë:
Siguria e të dhënave
Procedura e ankimimit
Vonesa në marrjen e shërbimit
Asistenca në marrjen e shërbimit – vonesa në kthim përgjigje, vështirësi në ndërveprimin me institucionet.
45% e bizneseve thanë se ishin të gatshëm jeni për të përdorur pagesën online për shërbimet publike për të cilat mund të ofrohet si opsion në platformat online, 34% deri diku të gatshëm dhe 20% aspak të gatshëm.
Këshilli i Investimeve në konkluzionet e anketimit konstaton se Biznesi në përgjithësi është i kënaqur me ofrimin e shërbimeve publike elektronike të cilat kanë ndikuar në uljen e barrës administrative dhe praktikat korruptive për shkak të shmangies së kontaktit fizik me administratën publike.
Vërehet një mungesë e digjitalizimit në nivel vendor, shërbimet elektronike të të cilit konsiderohen në nivel bazë nga ana e sipërmarrjes.
Vlerësohet e-Albania si portal lehtësisht i aksesueshëm por, si elementë më problematikë gjatë përdorimit të platformës e-Albania vlerësohen: (1) Siguria (2) Ankimimi (3) Marrja në kohë e shërbimit (4) Asistenca. 4. Agjencia Shtetërore e Kadastrës cilësohet si institucioni më problematik në lidhje me përfitimin e shërbimeve online (brenda platformës e-Albania) dhe mbështetjes së ofruar në marrjen e shërbimeve.
Biznesi është i gatshëm të përdorë pagesat online për përftimin e shërbimeve elektronike, por problematike mbetet çështja e sigurisë së të dhënave.
Pavarësisht se mbështet ofrimi i shërbimeve online, biznesi kërkon ri- hapje edhe të pikave fizike për përftimin e shërbimeve për arsye të pamundësisë së përdorimit të platformave online apo edhe mungesës së mbështetjes institucionale./ Monitor