BKH zgjeron kontrollet/ Sekuestrohen telefonat e Aleks Markut, Ardi Veliut dhe Ron Yeffet

Hetimet e drejtuara nga kreu i SPAK, Klodian Braho, kanë sjellë kontrolle të reja dhe sekuestrimin e disa telefonave, në kuadër të çështjes që lidhet me audio-përgjimin e denoncuar nga Arben Ahmetaj. Sipas burimeve jozyrtare, Byroja Kombëtare e Hetimit ka sekuestruar telefonin e Aleks Markut, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Kontrollet janë kryer pas vendimeve të Gjykatës së Posaçme, e cila ka miratuar kërkesat e paraqitura nga SPAK. Në kuadër të të njëjtave veprime hetimore, BKH ka sekuestruar edhe telefonat e biznesmenit Ron Yeffet, biznesmenes Arjeta Puca dhe kreut të KAYO-s, Ardi Veliu.
Përveç pajisjeve telefonike, hetuesit kanë administruar edhe dokumente të sekuestruara gjatë kontrolleve. Hetimet vijojnë për verifikimin e provave dhe zbardhjen e plotë të çështjes.






