Nga viti 2004 deri në vitin 2021, numri i bagëtive në vend ka rënë me 50%. Vetëm në vitin 2021, tkurrja ishte 7% për gjedhin dhe 3.2% për të imtat.
Blegtorët paralajmërojnë se, numri i krerëve do të përgjysmohet më tej gjatë këtij viti.
Arsyet lidhen me kostot e larta, mungesën e subvencioneve, emigrimin e popullsisë rurale, nivelin e ulët të produktivitetit etj.
Rënia e krerëve po rrit importet e bulmetit dhe çmimet qumështit dhe nënprodukteve të tij në pikat me pakicë. Fermat blegtorale humbin fizibilitetin, të voglat deri në 50 krerë në faliment, të mëdhatë në mbijetesë,shkruan Blerina Hoxha e Monitor.
Nazim Buzo, blegtor 40-vjeçar në zonën Korçës, i cili mbarështon një fermë të vogël me 20 krerë lopë për qumësht, po mendon të reduktojë numrin e krerëve vitin që vjen, me gjasë ta mbyllë fare aktivitetin e lodhshëm që nuk ia shpërblen mundin.
Si Nazimi edhe Luan Çela, në fshatin Ngurrëz në Fier, që ka rreth 20 lopë dhe 30 kokë të imta, do të shesë një pjesë të tyre për të shlyer 100 mijë lekë kredi në bankë. Të dy fermerët, që konsiderohen ferma të vogla, kanë në plan që në vitet e ardhshme të mbajnë disa krerë vetëm për vetëkonsum dhe jo më për treg.
Brenda një viti, numri i krerëve të gjedhit ka rënë me 7%, por që nga viti 2014 rënia është rreth 50%. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2021, në vend numëroheshin rreth 336 mijë krerë gjedh nga më shumë se 654 mijë krerë në vitin 2014.
Studime të ndryshme tregojnë se numri i krerëve të bagëtive ka pësuar rënie për të gjithë kategoritë fermave, të vogla, të mesme dhe të mëdha dhe në të gjitha qarqet dhe llojet e kafshëve. Blegtorët pohuan se arsye kryesore për rënien e krerëve është mungesa e fizibilitetit në këto lloj biznesesh.
Në njërën anë, fermat po përballen me kosto të larta të bazës ushqimore, e cila në një masë të madhe, importohet nga jashtë dhe nga ana tjetër, qeveria nuk ofron subvencione për blegtorët në mënyrë që të kompensohen një pjesë e kostove, ashtu siç veprohet në Rajon dhe Europë.
Lahim Kosiqi, ekspert i blegtorisë në Qarkun e Dibrës, një zonë me traditë në blegtori sidomos në të imtat, tha se tani po braktiset mbarështimi në masë. Ai tha se shumë shpejt bagëtitë në zonën e tij do të shuhen tërësisht. Në zonën e Maqellarës, deri para pesë vitesh, kishte mbi 350 krerë gjedh, tani nuk janë as 50.
Ai sheh si arsye themelore braktisjen e fshatit dhe mungesën e dëshirës nga moshat e reja për t’u marrë me blegtori. Në zonat rurale të vendit, popullsia po plaket me shpejtësi, dhe banorët janë duke i shitur bagëtitë pasi nuk kujdesen dot për to.
Nga ana tjetër, vendi po përballet me rritjen e kërkesës për prodhime vendase, si në mish dhe bulmet.
Rritja e numrit të turistëve dhe zhvillimi i agroturizmit e ka bazën tek mishi dhe bulmeti, pa të cilat sektori nuk mund të zhvillohet. Altin Prenga, i cili administron njësinë e agroturizmit,
“Mrizi i Zanave”, tha se kostot e mishit dhe bulmetit po rriten, pasi gjithnjë e më pak njerëz dëshirojnë të merren me bujqësi. Kulinaria shqiptare bazohet te mishi dhe nënproduktet e tij, tha zoti Prenga, por njësitë e agroturizmit dhe restorantet nuk mund të zhvillohen nëse nuk kemi prodhim vendas.
Tendenca e uljes së numrit të fermave të orientuara ndaj tregut është shqetësuese. Për shembull, numri i fermave që mbarështojnë më shumë se 5 lopë është reduktuar nga 4,250 ferma (në vitin 2015) në më pak se 2800 të tilla në vitin 2020, duke konfirmuar vështirësitë e fermerëve me rritjen e kostove të inputeve dhe ushqimit, koston e lartë të punimit të tokës dhe çmimin e ulët të qumështit.
Ndërkohë, mishi dhe qumështi i ngrirë i lirë i importuar nga ndërmarrjet vendore të përpunimit po pengon zhvillimin e brendshëm të sektorit të blegtorisë dhe po mban një presion të vazhdueshëm çmimesh mbi fermerët.
Blegtorët lajmërojnë përgjysmim të krerëve më 2022 nga kostot e larta
Blegtorët pohojnë se vështirësitë e krijuara pas luftës në Ukrainë, me rritjen e çmimeve do të sjellin rënie drastike të krerëve të bagëtive gjatë vitit 2022. Ervin Resuli, ekspert i sektorit të blegtorisë, i cili gjithashtu mbarështon një fermë me gjedh, tha se, kostot për krerë janë rritur drejt në 50%, ndërsa çmimet nuk kanë janë transferuar te shitja e qumështit.
Z. Resuli thotë se, kosto ditore e një lope për qumësht vetëm për ushqimin është 1687 lekë, gati 50% më e lartë se në fillim të vitit 2021. Ndërkohë qumështi me shumicë është rreth 66 lekë për kilogram.
Një lopë race e përmirësuar në fermat e specializuara prodhon rreth 25 litra qumësht në ditë, duke siguruar të ardhura ditore jo më shumë se, 1650 lekë. Fermerët pohojnë se të ardhurat nga qumështi i një lope race nuk i mbulojnë shpenzimet e ushqimit të saj.
Vetëm për të justifikuar koston e ushqimit, një lopë duhet të prodhojë të paktën 28-30 litra qumësht në ditë, por ndërkohë bizneset e fermave përballen me kosto të tjera të fuqisë punëtore, transportit etj. Fermat e vogla kanë fitime edhe më të ulëta nga qumështi me 50-60 lekë.
Si shumë biznese bujqësore, fitimet e blegtorëve janë vënë në presionin e kostove dhe shumica e tyre po rezultojnë me humbje. Fermat e mëdha janë në presionin e rritjes së kostos së ushqimit, për shkak të trajtimit stallor. Për këto arsye, shumë blegtorë po heqin dorë nga mbarështimi dhe kjo sipas tij do të jetë shumë e dukshme gjatë këtij viti.
Më të rrezikuarit, blegtorët me 3 deri në 50 krerë
Më të rrezikuarat për faliment duket se janë fermat e vogla dhe të mesme nga 3 deri në 50 krerë. Kjo kategori e fermave, sipas zotit Resuli, përballet me kosto të larta.
Studimet e financuara nga programet e BE (IPARD iII) tregojnë se madhësia minimale e një ferme ekonomikisht të qëndrueshme në blegtori, sipas numrit të krerëve, është si më poshtë, 6 lopë qumështore, 130 ripërtypës të vegjël (dele/dhi) mjelës, 15 viça për mish (15 krerë për një cikël x 2 cikle në vit), 20 dosa ose 20,000 zogj pule për mish.
Pragjet minimale për qëndrueshmërinë e fermave blegtorale në rastin e vendit tonë, përveç kostove të aktivitetit, marrin në konsideratë pagën minimale për 2 persona (e barasvlershme me 500 euro në muaj).
Duke pranuar se madhësia mesatare e familjes në Shqipëri është 3.8 persona, rreziku i migrimit mbetet shumë i lartë dhe do të vazhdojë të ndikojë në aktivitetet bujqësore, për sa kohë të ardhurat mbeten shumë më poshtë se pagat mesatare në qendrat urbane në Shqipëri.
Lahim Kosiqi, ekspert i blegtorisë në zonën e Dibrës, tha se, rënia e numrit të bagëtive të paktën në zonën e tij është më e madhe se në shifrat zyrtare të INSTAT.
Edhe zona e Kalasë së Dodës, e cila ka pasur një traditë fortë në mbarështimin e të imtave, tani po shuhet. Zoti Kosiqi tha se blegtoria është një punë e mundimshme dhe me fitime të ulëta ose pa fitim fare. Të rinjtë nuk duan të merren me bagëti.
Familjet në fshat po shkëputen nga tradita për të mbarështuar dy-tre lopë për vetëkonsum. Familjet e reja nuk mbajnë fare bagëti, ndërsa moshat e vjetra nuk kanë fuqi më të merren me këtë zanat.
Prandaj zona e Dibrës dhe në përgjithësi malësitë e veriut që mbarështojnë racat e rralla të gjedhit “gjersei” dhe dhisë autoktone (dhia e Hasit) po heqin dorë nga traditat shekullore dhe njëkohësisht po lënë bosh tregun me prodhimet e mishit dhe bulmetit.
Në rënie edhe të imtat, nuk ka fizibilitet deri në 38 krerë
Në rastin e fermave që mbarështojnë dele dhe dhi (shumica e fermave janë të përziera), ferma mesatare zotëron 37.4 dele qumështi (të pjella) dhe/ose 28.8 dhi qumështi (të pjella). Ndërsa 78.9% e fermave me dele zotërojnë nga 5 deri në 50 dele, janë 84% e fermave të dhive në të njëjtën madhësi.
Një studim i financuar nga BE vlerëson se, pragu i qëndrueshmërisë ekonomike vlerësohet në 120 – 130 dele ose dhi. Mbarështimi ekstensiv i deleve dhe dhive është një traditë që aktualisht nuk po tërheq fermerët / barinjtë e rinj pasi ka mundësi të kufizuara eksportim, në një periudhë afatshkurtër për shkak të kufizimeve nga mungesa e fuqisë punëtore në zonat rurale dhe fitimit të ulët.
Pa mbështetjen me fonde publike, ekziston rreziku që shumë fermerë të braktisin mbarështimin e tyre. Për sa u përket fermave tradicionale të derrave, tendenca është lehtësisht pozitive, duke vënë në dukje rritjen e ndjeshme të numrit të dosave.
Megjithatë, rritja nuk është për shkak të fermave më të mëdha konkurruese, pasi numri i fermave me më shumë se 5 dosa u ul me 45,2% në periudhën kohore midis 2015 dhe 2019, por për shkak të numrit në rritje të mbarështuesve të vegjël (të fermerëve që mbarështojnë një numër të vogël krerësh).
Sektori i zogjve të pulave për prodhim mishi është jashtëzakonisht i polarizuar: Sasia më e madhe e zogjve të pulave për mish prodhohen në 24 ferma, ndërsa 99.8% e fermave kultivojnë më pak se 1000 zogj pule për mish.
Studimet e tregut rreth blegtorisë tregojnë se, faktorë të tjerë të rëndësishëm që kufizojnë ruajtjen e një të ardhure të qëndrueshme dhe të shëndetshme janë njohuritë e kufizuara, aksesi i vështirë në teknologjitë/pajisjet/makineritë e reja, kosto e lartë në inputet bujqësore (ndonjëherë edhe me cilësi të dobët) dhe në kreditim (si për prodhimin dhe për investimet).
Emigrimi, arsye për zhdukjen e fermave të vogla me kafshë
Reduktimi i numrit të kafshëve për mish dhe qumësht ka shkuar paralelisht me reduktimin e popullsisë në vend. Popullsia totale e Shqipërisë në vitin 2022 arriti në 2.85 milionë banorë, nga të cilët 1.43 milionë janë gra, ndërsa popullsia rurale në të njëjtin vit nuk përllogaritet më shumë se 1 milion banorë.
Përqindja e popullsisë rurale ka rënë vazhdimisht nga 42,57% në vitin 2015 në 38,89% në vitin 2020, e shkaktuar nga migrimi jashtë dhe përgjithësisht nivelet më të ulëta të lindjeve.
Emigrantët tërhiqen kryesisht nga zonat urbane, pasi shkalla e urbanizimit është në rritje, pavarësisht nga një rënie e përgjithshme e popullsisë. Sipas parashikimeve, popullsia shqiptare do të ulet me 100,000 njerëz në rreth 2.75 milionë në vitin 2031 krahasuar me vitin 2020, e cila do të jetë kryesisht në zonat rurale, duke zgjeruar më tej hendekun e madh social-ekonomik midis zonave urbane dhe rurale pa kundërmasa.
Gjithashtu, cilësia e jetës në fshat është më e ulët dhe njerëzit që jetojnë në këto zona janë më afër pragut për të rënë në varfëri. Mungesa dhe cilësia e dobët e infrastrukturës rurale dhe shërbimeve bazë janë ende dukshëm më të ulëta në zonat rurale, dhe veçanërisht në zonat e thella dhe malore.
Vazhdimisht ka furnizim të paqëndrueshëm me energji elektrike, sisteme të pasigurta të ujërave të zeza dhe kanalizimeve, nuk kryhet grumbullimi i mbetjeve, rrjeti rrugor rajonal dhe rural ose konektiviteti dixhital janë shumë dobët.
Si rrjedhojë e këtij hendeku, popullsia në fshat do të vijë në rënie edhe në vitet në vijim dhe do të sjellë rënie drastike edhe në numrin e fermave blegtorale të vogla dhe të mesme. Për ata që jetojnë në fshat dhe duan të merren me blegtori është bërë e vështirë gjetja e punonjësve, sidomos çobanëve. Ky profesion i zakonshëm për zonat rurale i trashëguar në histori tashmë është drejt zhdukjes, pasi të rinjtë zgjedhin emigrimin apo punë të tjera në vend që të kullosin bagëtitë.
Diversifikimi në sektorë të tjerë dëmton blegtorinë
Blegtoria nuk është një punë me sezon, ndryshe nga bizneset e fermave në fushë dhe në serra. Bagëtitë janë fabrika konsumi të ushqimit në çdo sekondë pa pushim, por prodhimi nuk është i njëjtë.
Sidomos në ditët e sotme ku kostot kanë arritur majat, të rrisësh bagëti nuk konsiderohet një zgjidhje e mirë në kushtet kur subvencionet shtetërore mungojnë. Ndaj shumë fermerë po diversifikohen drejt sektorëve të tjerë.
Në zonën e Veriut, shumë fermerë kanë nisur të mbarështojnë bletë. Biznesi, edhe pse ka rreziqe të shumta për shkak të mungesës së njohurive të fermerëve, sjell fitime më të larta se degët e tjera të bujqësisë.
P.sh. fitimet neto të Kujtimit, një bletërritës në zonën e Tropojës, arrijnë në rreth 16 mijë euro vit nga ferma e tij prej 107 kosheresh. Fitimet ishin sa dyfishi i pagës mesatare në vend, teksa bletaria është më pak e lodhshme se bizneset e tjera të bujqësisë si blegtoria dhe kultivimi i perimeve. Mbarështimi i bletëve po shndërrohet në tendencë në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021, në të gjithë vendin ishin 394 mijë koshere, me rritje 36% nga viti 2017. Në një kohë që numri i bagëtive dhe të imtave ka rënë me shpejtësi, numri i koshereve po rritet.
Për shkak të fitmeve më të ulëta, shumë banorë të zonave rurale që më parë merreshin me blegtori, tani punojnë si punonjës me pagë në sektorin e ndërtimit dhe në aktivitete të tjera në zonat urbane.
Pagat në sektorin bujqësor janë rreth nivelit minimal. Diferenca ndërmjet pagës në bujqësi dhe pagës mesatare në rang vendi është thelluar më tej në dy vitet e fundit duke arritur në 36% nga rreth 24% që ishte në fillim të dekadës.
Modeli ekonomik, i bazuar te ndërtimi, nuk favorizon fermat
Lulëzimi i fermave të mëdha të kafshëve i pati fillimet e veta pas krizës së vitit 2008, ku rënia e aktivitetit në sektorin e ndërtimit orientoi likuiditet në ekonomi drejt fermave me stalla. Shumë ndërtues hapën stalla, por shumë shpejt ata u zhgënjyen, pasi fitimet ishin me pikatore dhe shpesh u përballën me humbje.
Duke pasur mungesë përvoje, shumë kapanone për bagëti u ndërtuan në mjedis urban, pa pasur tokë në dispozicion. Fermat përdorën teknologji moderne, morën raca ndërkombëtare me rendiment të lartë, ushqim të shpërndarë me teknologji, por u detyruan të importojnë ushqim.
Për një lopë duhet minimalisht gjysmë hektar tokë. U investua gjithashtu në raca që nuk përshtateshin me kushtet klimatike në Shqipëri, ndërkohë që mund të investoheshin në racat shqiptare, që për nga rendimenti mund të jepnin prodhim më të ulët, por janë më rezistente ndaj kushteve të ekosistemit këtu.
Mirëpo me gjithë gabimet që pati dyndja e investimeve në stalla e rriti numrin e krerëve dhe prodhimin vendas. Por vitet e fundit sektori i ndërtimit është kthyer me zhvillime të vrullshme. Numri i lejeve ka arritur rekorde historike dy vitet e fundit, duke thithur forcën punëtore nga fshati dhe duke tërhequr likuiditetet në ekonomi, duke u bërë një konkurrues i fortë i degës së bujqësisë.
Rënia e bagëtive, në rënie prodhimi i bulmetrave, rriten importet
Paralelisht me rënien e numrit të krerëve ka pësuar rënie edhe prodhimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në vitin 2021, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 115 mijë tonë.
Sipas llojit, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës është rreth 94 mijë tonë, e qumështit të deles, 13 mijë tonë dhe sasia e grumbulluar e qumështit të dhisë, rreth 8 mijë tonë. Krahasuar me vitin 2020, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7,4%, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe e dhisë paraqitet me rritje përkatësisht me 26,3% dhe 8,0%.
Rënia e bagëtive po stimulon rritjen e importeve të mishit dhe bulmetrave. Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se gjatë 5-mujorit të parë 2022, importet e bulmetrave dhe vezëve shënuan rritje vjetore me 18%. Rritja ishte më e fortë në muajin maj, pasi rritja e sasive mujore të importit të bulmetrave shënoi rritje vjetore me 42%.
Menaxherët në fabrikat e përpunimit të qumështit shpjeguan për një prirje të rritjes së furnizimeve me lëndë të parë nga importi, për shkak se në tregun vendas ka mungesa të furnizimit, por edhe për faktin se çmimi i qumështit të përpunuar nga tregjet e Serbisë është më i lirë se prodhimet e fermerëve.
Rritja e importeve të bulmetit është bërë agresive tre vitet e fundit. Të dhënat zyrtare mbi tregtinë e jashtme, gjatë vitit 2021, tregojnë se importet e bulmetit, vezëve dhe mjaltit u rritën me 27%, duke arritur vlerën totale prej 4,7 miliardë lekësh (38,8 milionë euro).
Të dhëna më të detajuara tregojnë se, importet në këtë grup udhëhiqen nga bulmeti dhe se rritja gjatë vitit 2021 është krijuar nga shtimi i importeve të qumështit nga Serbia, e cila ka ndikuar në 25% të totalit të rritjes totale. Importet e bulmetit nga ky vend arritën në 327 milionë lekë në vitin 2021, me një rritje 251% në raport me vitin 2020. Si rrjedhojë, deficiti tregtar me jashtë u zgjerua me 27% vitin e kaluar.//MONITOR