
Kryeministri Edi Rama poston foto dhe një mesazh për Parkun Arkeologjik të Bylisit, të cilin e cilëson si një pasuri të rrallë të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një nga qytetet më të ruajtura të Ilirisë.
“Bylis-Krenaria ilire mbi Vjosë”, shkruan Rama, duke e përshkruar si një qytet të lashtë të ndërtuar mbi një kodër që mbikëqyr luginën e Vjosës, me mure monumentale të shekullit IV para erës sonë, një teatër mbresëlënës, mozaikë të rrallë dhe pesë bazilika paleokristiane.
Po ashtu Rama nënvizon se falë Planit të Menaxhimit 2024–2029, në kuadër të programit IPA “BE për zhvillimin ekonomik drejtuar nga turizmi”, të zbatuar nga AICS, Bylisi dhe qyteti antik i Klosit po shndërrohen në qendra të reja zhvillimi, edukimi dhe bashkëpunimi.












Postimi i plotë
Bylis-Krenaria ilire mbi Vjosë
Një pasuri e rrallë arkeologjike, një nga qytetet më të ruajtura të Ilirisë, i vendosur mbi një kodër që mbikëqyr me madhështi luginën e Vjosës. Me mure monumentale të shek. IV p.e.s., një teatër mahnitës, mozaikë të rrallë dhe pesë bazilika paleokristiane, Parku Arkeologjik i Bylisit është një muze i hapur nën qiellin mesdhetar që i flet historisë dhe të ardhmes njëkohësisht.
Sot, falë Planit të Menaxhimit 2024–2029, në kuadër të programit IPA “BE për zhvillimin ekonomik drejtuar nga turizmi”, zbatuar nga AICS, Bylisi dhe qyteti antik i Klosit po shndërrohen në qendra zhvillimi, edukimi dhe bashkëpunimi: restaurim profesional dhe mbrojtje e qëndrueshme, përmirësim i infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët, mbështetje për komunitetin në turizëm dhe artizanat, programe edukimi për brezat e rinj.









Një bashkëpunim mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, AICS, Delegacionit të BE-së, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Institutit të Arkeologjisë për ta kthyer trashëgiminë tonë kulturore në një motor zhvillimi të qëndrueshëm dhe krenarie kombëtare.