Sunday, November 3, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIÇfarë do të sjellë legalizimi i kanabisit në Shqipëri?

Çfarë do të sjellë legalizimi i kanabisit në Shqipëri?

Me qëllim rritjen e punësimit dhe ekonomisë, kryeministri Edi Rama shpalli së fundmi nismën për legalizimin e kanabisit mjekësor. Por nisma e qeverisë erdhi në një kohë kur kultivimi i kanabisit rekreativ është konsoliduar në Shqipëri.

Investimet në procesin e kultivimit, që nga farat e deri te kultivarët, kanë rritur prodhimin në më pak sipërfaqe. Kultivimi është diversifikuar në shtëpi dhe serra, për të shmangur humbjet nga aksioni i policisë, kurse zinxhiri i përpunimit ka rritur investimet në laboratorë që prodhojnë nënproduktet vaj dhe çokollatë.

Vlerësimet indirekte tregojnë se grupet e kanabisit po ruajnë të ardhurat mbi 1 miliard euro në vit, duke ulur sipërfaqen e prodhimit dhe duke rritur produktivitetin. Kanabisi ilegal kontribuon me rreth 10% të PBB-së dhe ofron punë për rreth 20 mijë persona në vit. Bizneset ligjore të kanabisit mjekësor ka të ngjarë të konkurrohen nga tregu i zi. Si po ndikon modeli ekonomik dhe kapitali njerëzor tek ekonomia e kanabisit

Me një seriozitet të pazakontë në veshje, me smoking të zi dhe kollare të kuqe, Kryeministri i vendit, Edi Rama, shpalli para gazetarëve në sallën kryeministrore më 7 prill 2022 legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Vendimi erdhi pas një ankete Këshillimi Kombëtar, ku 61% e qytetarëve që u përgjigjën ishin dakord për kultivimin e kanabisit, me qëllim hapjen e një fronti të ri pune dhe rritje ekonomike në Shqipëri.

Në të njëjtën kohë, në kodrat dhe malet e vendit janë ngritur ndoshta serrat më moderne në Europë për kultivimin e kanabisit rekreativ, i cili është shndërruar në degën më të zhvilluar të bujqësisë reale dhe kontribuon me të ardhura vjetore gati sa 10% e PBB-së kombëtare dhe angazhon me punë rreth 20 mijë persona në vit.

Në të gjithë botën, interesi i kompanive farmaceutike për të përfshirë kanabisin për trajtime mjekësore është rritur. Sipas parashikimeve të “Market data Forecast”, vlera globale e kanabisit për qëllime mjekësore pritet të arrijë në 16,4 miliardë këtë vit, ndërsa deri në vitin 2027 do të trefishohet, mbi 46 miliardë dollarë.

Vendet kudo në botë kanë shtuar përpjekjet për legalizimin e kultivimit dhe përdorimit për qëllime mjekësore, por bizneset në këtë fushë po ndeshen me vështirësi. Ophelia Chong, konsulente e bizneseve që kultivojnë kanabisin e ligjshëm në Kaliforni, tha për gazetën britanike “The Guardian” se, “tani për tani, e vetmja mënyrë që bizneset legale, të licencuara nga shteti të jenë fitimprurëse, është të mbajnë një këmbë në tregun ilegal, të palicencuar”.

Artan Hoxha, gazetar me përvojë në sektorin e kronikës dhe njohës i mirë i procesit të kultivimit të bimëve narkotike, tha për “Monitor” se, sa herë qeveria jonë flet për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, kjo përkthehet në “leje” për zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me kanabis rekreativ në tregun e zi, edhe pse nuk ka asnjë lidhje me kultivarët për qëllime mjekësore dhe atyre që rriten në Shqipëri.

Bizneset do të kenë leverdi nëse legalizohet kanabisi për qëllime rekreative, pasi Shqipëria ka përvojë 30-vjeçare dhe ka krijuar një fuqi punëtore me njohuri të zgjeruara në këtë fushë. Nga viti në vit, produktiviteti i biznesit të kanabisit po rritet, tha Hoxha, për shkak të sofistikimit të investimeve në serra, përdorimit të teknologjisë së lartë dhe përzgjedhjes së farave e kultivarëve me vlerë të lartë tregu.

Prurjet valutore nga eksporti i kanabisit të paligjshëm kanë kontribuar në plotësimin e hendekut valutor që krijohet nga deficiti tregtar, duke u shndërruar në kontribuuesin kryesor të balancës korrente dhe në stabilitetin e kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, këto të ardhura kanë deformuar modelin e zhvillimit të qëndrueshëm në vend, pasi janë të përqendruara kryesisht në sektorin e ndërtimit, duke e penguar ekonominë të zgjerohet në sektorët inovatorë.

Ish-ministri i Bujqësisë, Rexhep Uka, e cilësoi të dyshimtë nismën e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, si një politikë zhvillimi ekonomik, në një kohë që bujqësia tradicionale ka ende hapësira të mëdha të pashfrytëzuara. “Me të vërtetë e arritëm kulmin në bujqësinë tradicionale dhe tani na mbeti kanabisi?!

E para, d.m.th. bujqësia tradicionale, edhe pse me shumë pak të ardhura, është shumë më e shëndetshme, sepse brenda ka punën! Aspekti social i saj i ka rrënjët këtu e 10000 vjet më parë, kurse kjo e kanabisit është si ‘të mbahesh për shkume’, një ‘biçim piramide’, ku familja tradicionale rurale, e as ajo moderne, nuk kanë vend. Ky prodhim është specie botanike, që ka teknologjinë e saj, të cilën e trajton fitoteknika”, tha zoti Uka.

Kultivimi masiv i kanabisit në të gjithë vendin, në vitet e fundit ka dëmtuar rëndë kapitalin njerëzor. Genci Muçollari drejton “Aksion Plus”, një qendër që ofron ndihmë për përdoruesit e drogës. Ai tha se në vitin 1995, numri i personave 15–65 vjeç, që kanë provuar të paktën një herë një lloj droge rezultonte rreth 5,000, ndërsa në vitin 2022, në Shqipëri, numërohen rreth 60 mijë persona përdorues të drogave, ku rreth 7-8 mijë konsiderohen konsumues problematikë të drogave të rënda dhe të rrezikshme.

Të dhënat e “Aksion Plus” tregojnë se nga viti 2017 deri në vitin 2022, numri i përdoruesve kryesisht të kanabisit është rritur me 50%, duke arritur në 60 mijë persona nga 40 mijë pesë vite më parë. Aktivitetet e paligjshme të kanabisit përbëjnë gati një të tretën e të burgosurve në vend, ndërsa zunë rreth 10% të çështjeve penale, sipas të dhënave zyrtare.

Po kriminalizohet popullata e re në moshë

Të joshur nga fitimet e larta, meshkujt e rinj në moshë priren për t’u përfshirë në kultivimin dhe tregtinë e kanabisit, për shkak të pagave mjaft konkurruese me sektorët e tjerë. Fitimet e larta në tregun e zi të tregtisë shoqërohen edhe nga rreziku i lartë. Shumë të rinj që merren me kultivimin e kanabisit dhe transportin e tij bien pre e aksioneve të policisë, për shkak të kryerjes së aktivitetit të paligjshëm.

Statistikat e INSTAT tregojnë se 10% e procedimeve penale nga viti 2015 deri më 2020 kishin lidhje me drogën, kryesisht aktivitetin e kanabisit. Ka plot raste kur policia ka arrestuar gra në moshë, pasi ato e kanë parë punën në parcelat e kanabisit si mjetin e vetëm për jetesë. Të dhëna nga burgjet tregojnë se një në tre të dënuar ka lidhje e kanabisin. Kultivimi i kësaj bime shtron rrugën për strukturimin e krimit dhe eksportin e tij jashtë vendit.

Vitet e fundit, grupet shqiptare në Britaninë e Madhe kanë nisur të rekrutojnë të rinjtë nga Shqipëria. Mediat britanike raportojnë se, ata marrin përsipër shpenzimet e kalimit ilegal në Britani që tani kushton rreth 25 mijë paund një person. Rekrutët do ta shlyejnë koston e kalimit, duke punuar një vit falas në shtëpitë ku kultivohet kanabis ose do të përdoret duke shitur drogë në tregjet e pakicës.

Për shkak të fitimeve më të larta se sa nga puna e krahut, mijëra të rinj po zgjedhin të largohen në Britani kundrejt kostove të larta dhe rrezikut të madh për jetën. INSTAT raportoi se vitin e kaluar, mbi 43 mijë persona u larguan nga vendi, ku 50% e tyre ishin të rinj nën moshën 24 vjeç.

/Blerina Hoxha/Monitor.al/

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME