Pas sulmit të përgjakshëm në Moskë të marrë përsipër nga Shteti Islamik, Shtetet e Bashkuara sollën në vëmendje se si në fillim të marsit e kishin paralajmëruar Rusinë për rrezikun e sulmeve nga ISIS-K, Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit.
I njohur gjithashtu si Wilayat Khorasan, grupi është dega afgane e ISIS dhe që u shfaq për herë të parë në vitin 2014. Emri Khorasan përkthehet “Toka e Diellit” dhe sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, ai i referohet një rajoni historik që përfshin pjesë të Iranit, Afganistanit dhe Pakistanit.
Bazuar në këtë vizion, ISIS-K synon të krijojë një kalifat të ri që bashkon këto tre vende, por edhe disa ish-republika sovjetike, si Turkmenistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani.
Një kërcënim i qartë për Rusinë, e cila nuk harron rebelimet islamike në Kaukazin e Veriut, veçanërisht në Dagestan dhe Çeçeni me dy luftërat e viteve 1990 dhe një seri të gjatë sulmesh të përgjakshme që masakruan civilë në qytete të ndryshme ruse, përfshirë edhe kryeqytetin.
Lideri aktual i grupit është Sanaullah Ghafari, alias Shahab al-Muhajir. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ai u emërua në qershor 2020. Nën udhëheqjen e tij, ashtu si grupet e tjera terroriste, edhe ISIS-K synon forcat amerikane, aleatët e tyre dhe civilët. SHBA ofron 10 milionë USD për kapjen ose vrasjen e tij.
Ndryshe nga organizatat e tjera, ISIS-K lufton hapur kundër organizatave të tjera ekstremiste islamike, siç janë talebanët. Ata janë përgjegjës për sulmin vetëvrasës në aeroportin e Kabulit më 26 gusht 2021. Grupi ishte gati të ndërmerrte gjithashtu veprime kundër komuniteteve hebraike si hakmarrje për operacionet izraelite në Gaza. Vetëm dy javë më parë, shërbimet e inteligjencës ruse pretenduan se kishin eliminuar një celulë të ISIS-it që po planifikonte një sulm kundër një sinagoge në Moskë. ©Marrë nga TG Com