Fier – Apolonia U-19 humbi 0-3 në “Loni Papuçiu” përballë Hajdukut të Splitit në duelin e parë të fazës “play-off” në Champions League.
Fierakët e vegjël kanë bërë shumë duke qenë afër kualifikimit në fazën e grupeve, por sfida e sotme ishte tepër e vështirë.
Skuadra kroate zhbllokoi takimin falë golit të Jere Vrcic (28’), ndërkohë që në pjesën e dytë miqtë vulosën suksesin me “tris” falë rrjetave të Mate Antunovic (54’) dhe Roko Brajkovic (63’).
Djemtë e Bledar Borovës tentuan deri në fund të shënonin një gol, por nuk ia dolën dot.
Përballja e kthimit do të luhet në 2 nëntor në Split të Kroacisë, me Hajdukun që ka hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në fazën e grupeve.