CIA: Covid-19 ka shumë gjasa të ketë rrjedhur nga laboratori kinez në Wuhan

CIA ka ofruar një vlerësim të ri mbi origjinën e shpërthimit të Covid-19, duke thënë se koronavirusi ka më shumë gjasa të ketë rrjedhur nga një laborator kinez sesa të ketë ardhur nga kafshët.
Vlerësimi i fundit nga agjencia e inteligjencës, pas emërimit të drejtorit të ri të CIA-s, John Ratcliffe, i emëruar nga presidenti Donald Trump. Ratcliffe, i cili shërbeu si drejtor i inteligjencës kombëtare gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, ka favorizuar prej kohësh teorinë e rrjedhjes së laboratorit, duke pretenduar se Covid ka shumë të ngjarë të ketë ardhur nga një rrjedhje në Institutin e Virologjisë Wuhan.
Instituti është 40 minuta me makinë nga tregu i lagësht Huanan ku u shfaq grupi i parë i infeksioneve. Në një intervistë me Breitbart News të publikuar të Premten, Ratcliffe tha se ai dëshironte që CIA të tërhiqej nga qëndrimi i saj neutral për origjinën e virusit.
“Një nga gjërat për të cilat kam folur shumë është adresimi i kërcënimit nga Kina në një numër frontesh, dhe kjo shkon prapa tek arsyeja pse vdiqën një milion amerikanë dhe pse Agjencia Qendrore e Inteligjencës ka qëndruar mënjanë për pesë vjet në mosbërjen e një vlerësimi për origjinën e COVID”, tha ai.
BBC raporton se zyrtarët i thanë mediave amerikane se vlerësimi i ri nuk bazohej në punën e ekipit të ri të inteligjencës dhe se i paraprin administratës Trump. Raportohet se rishikimi i orgjinës së Covid-19 u urdhërua në javët e fundit të administratës Biden dhe përfundoi përpara se Trump të merrte detyrën të hënën.
Mgjithatë ende nuk ka konsensus për shkakun e pandemisë Covid. Disa mbështesin një teori të origjinës natyrore, e cila argumenton se virusi përhapet natyrshëm nga kafshët, pa përfshirjen e ndonjë shkencëtari apo laboratori.
Hipoteza e rrjedhjes së laboratorit në mënyrë specifike është kontestuar ashpër nga shkencëtarët, duke përfshirë shumë që thonë se nuk ka prova përfundimtare për ta mbështetur atë. Edhe Kina në të kaluarën e ka hedhur poshtë pretendimin laboratorik si manipulim politik nga Uashingtoni.
Megjithatë, teoria dikur e diskutueshme ka fituar terren në mesin e disa agjencive të inteligjencës. Në vitin 2023, drejtori i FBI Christopher Wray tha për Fox News se ishte vlerësimi i byrosë së tij se “origjina e pandemisë ka shumë të ngjarë të jetë një incident i mundshëm laboratorik”.