BOTAKRYESORE

Shqiptarët, kampionë të kokainës në Europë: Pluhuri i bardhë në bare, punë dhe festa

Sipas Agjencisë së Drogave të BE-së (EUDA), shqiptarët kanë nivelin më të lartë të konsumit të kokainës në kontinent: 41% e përdoruesve

Një tjetër “trofe” për Shqipërinë në Europë, këtë herë në fushën e substancave narkotike. Sipas Agjencisë së Drogave të BE-së (EUDA), e cituar nga Monitor, shqiptarët kanë nivelin më të lartë të konsumit të kokainës në kontinent: 41% e përdoruesve shqiptarë kanë konsumuar kokainë në 12 muajt e fundit, duke lënë pas me diferencë si mesataren e Ballkanit Perëndimor (21%), ashtu edhe atë të BE-së (29%).

Pra, ndërsa qeveria na shet përrallat e Shqipërisë “qendër financiare” dhe “portë e hapur për investime”, realiteti është ndryshe: vendi është kthyer në një oaz për konsumin e drogës, me një rritje alarmante të kokainës.

Kanabis, kokainë dhe ekstazi – “trekëndëshi i Bermudës” i drogës

Kanabisi vijon të mbetet “mbreti” i drogërave në Shqipëri, me 56% të përdoruesve që e konsumojnë. Nëse kjo s’ishte e qartë deri më sot, kujtoni fushatat e pastrimit të parcelave nga policia dhe zëvendësimin e tyre të shpejtë nga të tjera plantacione. Por surpriza e madhe është kokaina, që vjen direkt në vend të dytë me 41% të përdoruesve.

Në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, vendin e dytë pas kanabisit e zë benzodiazepina (pa recetë), por shqiptarët preferojnë një “stil më të shtrenjtë”: pluhur të bardhë. Pas kokainës, substanca e tretë më e konsumuar në Shqipëri është MDMA/Ecstasy (16%), e ndjekur nga kërpudhat dhe truflat (11%).

Kokaina mbretëron në bare, punë dhe makina

Nëse po kërkoni se ku mund ta gjeni “luksin” e bardhë, shihni nëpër baret e qytetit. Sipas studimit, 75% e përdoruesve shqiptarë të kokainës pluhur e konsumojnë atë në lokale nate dhe bare, ndërsa 69% e përdorin në shtëpi. Festat dhe festivalet muzikore janë gjithashtu pika të forta konsumi (51%), ndërsa 35% e përdorin edhe në makinë.

Për kokainën kristal (crack), situata është pak më ndryshe: 75% e konsumojnë në shtëpi, ndërsa 33% në bare. Kjo tregon se pluhuri i bardhë mbizotëron në ambiente publike, ndërsa varianti më i ashpër mbetet një çështje “private”.

Kanabis në natyrë, kokainë në zyrë dhe shkolla

Ndërsa kanabisi gjen ambientin ideal në natyrë (67%) dhe shtëpi (61%), kokaina po futet në vendet e punës dhe shkolla. Plot 20% e përdoruesve të kokainës pluhur në Shqipëri thanë se e kanë konsumuar në punë, ndërsa 17% e përdoruesve të kokainës kristal (crack) kanë bërë të njëjtën gjë. Por pjesa më shqetësuese: 4% e përdoruesve të kokainës deklaruan se e konsumojnë në shkollë.

Me fjalë të tjera, realiteti është që fëmijët e sotëm shkojnë në shkollë me libra dhe disa prej tyre dalin prej andej me një gram “bar” në xhep.

Ku i gjejnë shqiptarët drogat?

Në Shqipëri, kombinimi i drogës me substanca të tjera është një praktikë e zakonshme. 83% e përdoruesve të kokainës pluhur e konsumojnë me alkool dhe nikotinë, ndërsa 26% e përziejnë edhe me kanabis. Nga ana tjetër, 70% e përdoruesve të kanabisit e përziejnë me cigare/nikotinë, ndërsa 46% me alkool.

Nëse mendoni se ky konsum masiv ndodh për shkak të trafikut të ndërlikuar të drogës, mendohuni edhe një herë. Për shumicën e përdoruesve shqiptarë, burimi kryesor i drogës janë miqtë dhe shokët. Konkretisht, 68% e përdoruesve të kokainës e sigurojnë atë përmes shokëve dhe 47% përmes kontakteve direkte me shitësit nëpërmjet telefonit, email-it ose mesazheve.

E thënë ndryshe: droga është një çështje e brendshme, e rrënjosur thellë në shoqëri. Dhe ndërsa Shqipëria shënon rekorde të zeza në Europë për përdorimin e kokainës, politika vijon të flasë për sukseset imagjinare dhe investimet gjigande. Sepse populli “ngopet” me pluhur të bardhë, ndërsa qeveria shton pluhurin e gënjeshtrave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button