Probleme për rrjetin X, Musk: U sulmuam nga Ukraina

Përdoruesit e rrjetit social X patën disa probleme me aksesin në platformë këtë të hënë. Për këtë bosi i këtij aplikacioni, miliarderi Elon Musk tha se shkak u bë një sulm kibernetik që shkaktoi probleme serioze dhe që origjinën e kishte në Ukrainë.
Në një intervistë me Fox Business Network, pas rikthimit të pjesshëm të funksionimit, ai tha se “nuk jemi të sigurt se çfarë ka ndodhur saktësisht, por ka pasur një sulm masiv kibernetik që u përpoq të rrëzonte X me adresa IP me origjinë nga rajoni i Ukrainës”.
Ndërkohë ishin e hakerat e “Dark Storm Team” që mori përsipër sulmin. Grupi i sigurisë kibernetike “SpyoSecure” konfirmoi se ndaj X kishte pasur një sulm DDOS. Sulmet DDOS mbingarkojnë serverët e një faqe interneti dhe i bëjnë ata të paaftë për t’u përgjigjur.
Duhet të theksohet se ekipi “Dark Storm Team” nuk është i vendosur në Ukrainë.
Pak ditë më parë Musk u përfshi në replika me Kievin dhe madje u shpreh se ishte interneti i kompanisë së tij “Starlink” që i jepte mundësi Kievit të mbante në këmbë frontin në përballje me forcat ruse.
“Dark Storm Team” është themeluar në vitin 2023 dhe është i njohur për strategjitë e avancuara të luftës kibernetike dhe goditjet ndaj sistemeve të sigurisë së lartë.
“Orange Cyberdefense” raporton se ky grup ka një axhendë pro-palestineze dhe kohët e fundit është zotuar të nisë një seri sulmesh kibernetike që synojnë faqet e internetit qeveritare të vendeve të NATO-s, Izraelit dhe kombeve të tjera që mbështesin Tel Avivin.