SPORT

City, goditje për Champions: mposht Aston Villa në shtesë

Manchester City mposhti me rezultatin 2-1 Aston Villa në javën e 34-t të Premier League dhe i shkëputet me +4 një rivaleje direkte për një vend në Champions League. T

ë dy ekipet të angazhuara në gjysmëfinalet e FA Cup këtë fundjavë, Citizens dhe Villans zhvilluan më herët ndeshjen e kampionatit të tyre, e cila u vendos në minutën e 94′ në Etihad. Fitorja i buzëqeshi Guardiolës falë golit të Matheus Nunes, pas realizimeve të Bernardo Silva dhe Rashford (nga penalltia) në pjesën e parë.

Silva e Rashford ndezin Etihad

Etihad Stadium ishte skena e një dueli direkt për zonën Champions: Manchester City përballë Aston Villa. Duke qenë se të dyja skuadrat do të luajnë këtë fundjavë në gjysmëfinalet e FA Cup (City kundër Nottingham Forest dhe Villa kundër Crystal Palace), Guardiola dhe Emery zhvilluan më herët sfidën e tyre të javës së 34-t, me objektivin për të marrë një fitore të vlefshme për vazhdimësinë në kampionat. Ndeshja nisi vrullshëm dhe Rashford goditi menjëherë një shtyllë për miqtë, pasi më parë kishte vënë në siklet Ruben Dias me një kthesë të shkëlqyer. City shpëtoi dhe në minutën e 7′ kaloi në avantazh: Marmoush kaloi Cash në të majtë dhe krosoi në qendër të zonës ku Bernardo Silva shënoi për 1-0, edhe pse ndihmuar nga një devijim i parë i Konsa dhe një pritje jo perfekte e Emiliano Martinez.

Avantazhi i City zgjati vetëm deri në minutën e 18′, kur VAR thirri arbitrin për të rishikuar një kontakt mes Ruben Dias dhe Ramsey, pas së cilës gjyqtari akordoi penallti për Villans: Rashford u tregua i saktë dhe barazoi 1-1, duke e dërguar portierin Ortega në krahun e kundërt. Ish-sulmuesi i Manchester United shënoi kështu golin e tij të shtatë kundër City në karrierë, një kundërshtar i veçantë për një lojtar të rritur me fanellën e Djajve të Kuq.

Dënimi në shtesë nga Nunes

Në pjesën e dytë, ishte një tjetër produkt i akademisë së City, McAtee, që e rrezikoi Martinez në minutën e 60′, përpara një tjetër përpjekjeje nga Rashford në zonën kundërshtare. Minutat kaluan dhe City filloi të shfaqte një futboll më të mirë, duke shënuar me Marmoush në të 80′. por goli iu anulua menjëherë për pozicion të qartë jashtë loje. Rezultati mbeti 1-1 deri në minutën e 94′, kur Doku shpiku gjithçka dhe Matheus Nunes realizoi golin e fitores në kohën shtesë. Skuadra e Guardiolës e gjeti në fund goditjen vendimtare që i dha një fitore shumë të rëndësishme: City ngjitet në kuotën e 61 pikëve, duke u pozicionuar përkohësisht në vendin e tretë (në pritje të ndeshjeve të Nottingham Forest dhe Newcastle). Aston Villa mbetet në 57 pikë, duke i dhënë fund serisë prej katër fitoreve radhazi në kampionat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button