AKTUALITETTOP-NEWS

CNN, Al Jazeera dhe Daily Mail: Çështja “Balluku” shkakton protesta në Shqipëri

Protestat në parlament dhe në qendër të Tiranës si dhe akuzat ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku kanë marrë vëmendjen e agjencive prestigjioze ndërkombëtare të lajmeve.

Rrjeti prestigjioz amerikan CNN, një video të shkurtër të publikuar në rrjetet sociale, shkruan se protestat në Shqipëri kanë nisur pas javëve të tensionuara në vend, të shkaktuara nga akuzat për korrupsion ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.

CNN përmend edhe tensionet e javës së fundit në Parlament, ku pamjet e deputetëve të opozitës bënë xhiron e mediave ndërkombëtare.

Protestuesit që hodhën molotovë përpara kryeministrisë kërkuan dorëheqjen e qeverisë, ndërsa SPAK kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut, me qëllim arrestimin e saj, thotë CNN, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Shqipëri.

Vëmendje i ka kushtuar situatës edhe rrjeti i famshëm “Al Jazeera”. “Një burrë u përfshi nga flakët ndërsa u hodhën objekte të ndezshme gjatë protestave antiqeveritare në Shqipëri. Mijëra demonstrues u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Lideri i opozitës dhe ish-kryeministri Sali Berisha iu bashkua demonstratave, duke marshuar me protestuesit në një shenjë mbështetjeje” – citon “Al Jazeera”.

Edhe tabloidi britanik “Daily Mail” i ka bërë jehonë protestës së mbajtur nga opozita kundër qeverisë, të hënën e 22 dhjetorit. Përmes pamjeve të përcjella thuhet se mijëra demonstrues u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij.⁠ Sipas “Daily Mail” qytetarët hodhën molotovë, në shenjë proteste kundër korrupsionit të qeverisë Rama.

Në fokus të tabloidit britanik, ishin hetimet ndaj numrit dy të qeverisë Rama, Belinda Balluku, e cila po hetohet për shkelje të barazisë në tendera në Tunelin e Llogarasë dhe Lotet e Unazës së Madhe. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button