AKTUALITET

Del investigimi i “Le Iene”/ Si grabiteshin miliona euro nga call center i Tiranës

Gazetari Luigi Pelazza i emisionit investigativ “Le Iene” ka arritur të futet në zemër të mashtrimit në call center-in e zbuluar pak ditë më parë në qendër të Tiranës dhe që çoi në pranga 8 persona. Ai arriti të infiltrojë një bashkëpunëtor në këtë call center që ndodhej në një nga kullat e njohura të kryeqytetit.

“Kjo na lejoi të tregojmë se si vepron rrjeti kriminal që lëviz miliona dhe mashtron njerëz të panumërt. Nga presionet mbi “klientët” te platformat e përdorura për të simuluar fitime të rreme dhe për të bindur viktimat të paguajnë më shumë” – shkruan “Le Iene”. (Shiko KETU emisionin e plotë)

Nga ky call center dyshohet se gjeneroheshin deri në 30 milionë euro në muaj, ndërsa emisioni ngre dyshime serioze se paratë e përfituara përdoren për pastrim parash nga aktivitete të tjera kriminale.

Në këtë call center kishte rreth 100 operatorë dhe konsulentë financiarë. Ata ishin të ndarë në sektorë dhe identifikonin klientë në Itali, Francë, Gjermani dhe Spanjë. Personi i infiltruar kishte punuar më parë në Qipro.

Në fillim atij dhe punëtorëve të tjerë iu kërkua të dorëzojë telefonat celularë në hyrje për të mos filmuar apo regjistruar.

Operatorët përdorin identitete të rreme dhe strategji të përshtatura sipas targetit të klientëve që kontaktojnë. Brenda këtyre ekipeve operojnë operatorë financiarë, konsulentë seniorë dhe koordinatorë, të ndarë qartë sipas rolit dhe tregut, duke e bërë mashtrimin të sofistikuar dhe të mirëorganizuar.

Në qendër të skemës qëndron një procedurë e planifikuar me kujdes. Viktimat fillimisht bindeshin të investonin shuma të vogla, zakonisht rreth 250 euro, për të hapur një platformë online që pretendonte të menaxhonte investimin. Platforma shfaqte grafikë dhe shifra të manipuluara që tregonin fitime në rritje, duke i bindur klientët të rrisnin investimet.

Konsulentët senior i shtynin vazhdimisht të shtonin shumën e investuar. Kur viktimat kërkonin të tërhiqnin paratë e fituara, operatorët zhdukeshin, telefonatat ndërpriteshin dhe platformat bëheshin të paarritshme. Sa më shumë klientë mashtrohen, aq më e lartë është përqindja e fitimeve që merr çdo operator dhe konsulent financiar në këtë call center.

Paga e operatorëve është jashtëzakonisht e lartë dhe lidhet drejtpërdrejt me suksesin në mashtrimin e klientëve. Operatorët mesatarë fitojnë nga 15.000 deri në 50.000 euro në muaj, ndërsa operatorët më të suksesshëm marrin 21% të fitimeve mujore të kompanisë, që përkthehet në rreth 200.000 euro në muaj.

Ka pasur raste kur konsulentë dhe operatorë arrijnë të fitojnë deri në 1 milion euro në muaj. Përveç kësaj, operatorët përfitojnë edhe strehim falas, bileta avioni dhe mbulim të shpenzimeve të jetesës. Xhiroja mujore e kompanisë arrin në 25–30 milionë euro, duke treguar përmasat e jashtëzakonshme të mashtrimit financiar.

Investiguesit infiltruan rrjetin përmes bisedave në Telegram, ku ish-punonjës dhe persona të lidhur me kompaninë ndanin informacione të brendshme. Ky investigim tregon se Tirana është kthyer në bazën operative të një rrjeti mashtrimesh që funksionon si një kompani ndërkombëtare e sofistikuar, ku operatorët përfitojnë paga marramendëse dhe kompania gjeneron një xhiro prej 25–30 milionë euro çdo muaj. 

Le Iene nuk e ka lënë me kaq investigimin dhe ka paralajmëruar edhe një pjesë tjetër. Ishin pikërisht gazetarët e këtij emisioni që kalmëruan SPAK, i cili ndërhyri, por pa mundur të vërë në pranga shefat e mëdhenj, 3 prej të cilëve mundën të arratisen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button