Një letër nga Albert Einstein, në të cilën inkurajohej SHBA-ja të zhvillonte bombat e para bërthamore në botë, do të dalë në ankand.
Drejtuar presidentit, Franklin D Roosevelt, në vitin 1939, shënimi paralajmëronte se Gjermania naziste mund të ishte në gjendje të krijonte armë të tilla dhe sugjeronte që SHBA-ja të fillojë programin e saj atomik. Tre vjet më vonë, Amerika filloi Projektin Manhattan, i cili çoi në përdorimin e parë të armëve atomike, kundër Japonisë, në vitin 1945.
Letra po shitet si pjesë e një ankandi të artefakteve që i përkasin bashkëthemeluesit të Microsoft, Paul Allen, i cili vdiq në vitin 2018 në moshën 65-vjeçare.
Koleksioni i tij personal do të dalë në shitje në Nju-Jork, në shtator. Do të ketë një sërë artikujsh që pasqyrojnë jetën e tij dhe ndikimin në informatikë, por letra e Ajnshtajnit pritet të marrë vëmendjen kryesore.
Letra është vlerësuar së mund të shitet midis 4 dhe 6 milionë dollarë. Ajo në fakt u shkrua nga fizikani hungarez, Leo Szilard, me ndihmën e shkencëtarëve të tjerë, por u nënshkrua nga Ajnshtajni sepse statusi i tij asokohe vlerësohej si një nga figurat më të mëdha shkencore, çka do të tërhiqte vëmendjen e presidentit.
E datës 2 gusht 1939, vetëm disa javë para shpalljes së Luftës së Dytë Botërore, në letër citohej: “Është e imagjinueshme – edhe pse shumë më pak e sigurt – që mund të ndërtohen bomba jashtëzakonisht të fuqishme të një lloji të ri”.