SPORT

Dëshpërohet Italia, Irani niset për në Botëror: ceremoni madhështore në Teheran

Të mërkurën Irani i dha lamtumirën zyrtare kombëtares së futbollit, që po niset drejt Botërorit 2026, me një ceremoni të madhe të zhvilluar në Sheshin e Revolucionit në Teheran dhe të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror. Një shtet që duket ende fort në duart e regjimit teokratik islamik, pas goditjes që dukej se mund të vinte edhe në frontin e brendshëm nga lufta e shkaktuar nga SHBA dhe Izraeli.

Përcjellja e skuadrës, e cila fillimisht do të zhvendoset në Turqi dhe më pas do të shkojë në Shtetet e Bashkuara për fazën e grupeve, ishte një moment i pastër propagande nacionaliste. Në këtë pikë duket se ka shumë pak dyshime për pjesëmarrjen e Iranit në Botëror, çka përjashton çdo mundësi ripeshkimi, qoftë atë fantazist për Italinë apo për një tjetër kombëtare aziatike si Emiratet e Bashkuara Arabe.

Përshëndetja e turmës në Teheran për kombëtaren iraniane

Futbollistët e kombëtares, të veshur me tuta të kuqe dhe të zeza, dolën në skenën e ngritur në zemër të Teheranit dhe u pritën me ovacione nga turma që valëviste flamujt e republikës islamike. Të pranishëm ishin trajneri Amir Ghalenoei dhe presidenti i federatës Mehdi Taj, së bashku me drejtues të tjerë. “Lojtarët e kombëtares që do të marrin pjesë në Kupën e Botës do të përfaqësojnë popullin, luftëtarët e vendit, Udhëheqësin Suprem (ajatollah Mojtaba Khamenei) dhe kombin”, deklaroi Taj. “Kjo është një kombëtare futbolli në kohë lufte – shtoi ai më pas – një shtyllë autoriteti dhe rezistence”.

Turma që kishte mbushur sheshin të dekoruar me flamuj këndonte slogane patriotike dhe mbante pankarta e fotografi të Ali Khamenei-t të ndjerë, i vrarë gjatë sulmeve të para izraelito-amerikane në fund të shkurtit. Një nga pankartat u kërkonte lojtarëve të “këndojnë himnin kombëtar me vendosmëri dhe pa hezitim, për gjakun e dëshmorëve”, duke iu referuar qartë gjestit të bujshëm të kombëtares femërore që refuzoi ta këndonte në Botërorin U-19 pak muaj më parë.

Irani, programi para nisjes drejt SHBA-së

Gjatë aktivitetit u prezantua edhe fanella zyrtare për Botërorin 2026, me gepardin aziatik, simbol historik i futbollit iranian. Programi i kombëtares parashikon tani nisjen drejt Turqisë për grumbullim dhe ndeshje miqësore (një tashmë e organizuar me Gambian më 29 maj dhe një tjetër ende në negociata), përpara se të fluturojë drejt SHBA-së, konkretisht në Arizona, baza e grupit të saj gjatë turneut.

Debutimi do të jetë më 15 qershor në Los Angeles kundër Irlandës së Veriut, më pas ndeshja me Belgjikën më 21 qershor po aty dhe në fund sfida me Egjiptin më 26 qershor në Seattle.

Pjesëmarrja e Iranit në fazën finale të Kupës së Botës ishte vënë seriozisht në dyshim për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe luftës, por armëpushimi që zgjat prej 8 prillit, megjithëse me vështirësi dhe incidente sporadike, ka ndihmuar në uljen e tensioneve javët e fundit.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka konsideruar të sigurt praninë e Iranit dhe vetë federata iraniane ka konfirmuar se do të luajë në stadiumet e caktuara në SHBA, pasi FIFA refuzoi kërkesën për zhvendosjen e ndeshjeve të grupit në Meksikë, duke kërkuar megjithatë respektimin e disa kushteve.

Në këtë pikë një tërheqje e Iranit dhe një boshllëk në tabelë për t’u mbushur me ripeshkim duket shumë e pamundur, por është e qartë se situata ende shumë e tensionuar në Lindjen e Mesme nuk mund ta përjashtojë një tërheqje në momentet e fundit.

Problemi i vizave e lidhjet me Gardën Revolucionare Islamike

Mbetet ende e pazgjidhur çështja e vizave, të paktën sipas deklaratave të një drejtuesi të federatës pas ceremonisë së të mërkurës. Irani ia ka besuar FIFA-s përgjegjësinë për hyrjen e lojtarëve dhe stafit në SHBA. “Ende nuk ka ardhur asgjë për vizat. Shpresojmë që çështja të zgjidhet brenda këtij afati – deklaroi sekretari i përgjithshëm i federatës, Hedayat Mombeini, për televizionin shtetëror – FIFA ka bërë premtime dhe shpresojmë që ato të japin rezultate dhe lojtarët të marrin vizat në kohë. Shpresoj që FIFA të ndërhyjë, ne kemi besuar gjithmonë se sporti duhet të ndahet nga politika. FIFA ka detyrimin të sigurojë hyrjen e të gjithë pjesëmarrësve në Botëror”.

Çështja nuk është aspak e thjeshtë, pasi presidentit të federatës Taj – dhe jo vetëm atij – dy javë më parë iu ndalua hyrja në Kanada për kongresin e FIFA-s, për shkak të lidhjeve të tij me Gardën Revolucionare Islamike.

Ashtu si në Kanada, edhe në SHBA Garda Revolucionare klasifikohet si “organizatë terroriste” dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka deklaruar se askush me lidhje me këtë organizatë nuk do të lejohet të hyjë në vend. Siç shihet, rruga për ta parë Iranin në Botëror nuk është ende plotësisht e hapur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button