AKTUALITET

Detajet/ Vila luksoze e Belinda Ballukut në Palasë, nga emaili te tenderat

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. E ftuar në një emision televiziv, gazetarja Klodiana Lala, ka zbërthyer se si u zbulua vila luksoze në Palasë, e cila dyshohet se është pasuri e fshehur e Ballukut.

Gjatë fjalës së saj, gazetarja Lala shpjegoi zanafillën e kontrolleve të SPAK-ut në jug të vendit dhe në studiot e arkitekturës.

“Nëse ju kujtohet, ne kemi raportuar në fund të muajit korrik dhe në ditët e para të muajit gusht në lidhje me disa kontrolle që Prokuroria e Posaçme ishte duke kryer në zonën e Palasës, por po ashtu edhe në disa zyra të arkitektëve të ndryshme dhe të shoqërive të ndryshme në vend, pasi kishte dyshime të forta se një tjetër vilë luksoze ishte pasuri e fshehur e zonjës Balluku, e cila tashmë është ish-zëvendëskryeministre dhe ish-ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë,” u shpreh Lala.

Sipas gazetares, prova kryesore që e lidh ish-numrin dy të qeverisë me këtë pasuri luksoze është një e-mail i dërguar direkt në adresën e saj personale nga arkitekti Alban Eftimi.

“Prova më e fortë që e lidh këtë pasuri me Belinda Ballukun është pikërisht një email që arkitekti Alban Eftimi Atelier 4 dërgon në adresën personale të zonjës Balluku. Në këtë email të cilin News24 e ka publikuar më herët, ai i shpjegon zonjës Balluku se si do të dukej vila të nesërmen. Materialet e shtrenjta që duhet të përdoreshin, do të ishte me komoditet pa diskutim. I referohej një hoteli shumë luksoz në Greqi… Krahas këtij emaili dërgohet edhe një dokument me 11 faqe ku është komplet dizajnimi i vilës luksoze, mënyra se si kjo vila do dukej në përfundim,” deklaroi gazetarja.

Lala zbardhi gjithashtu skemën e financimit të ndërtimit dhe arredimit të vilës, ku përfshihen emra si Arbër Abazi apo edhe Igli Tare.

“Kjo vilë sipas të dhënave të SPAK në pjesën e parë, pra deri në karabinë, është paguar sipas prokurorëve të posaçëm nga Igli Tare, ish-futbollist, dhe më pas të gjitha shpenzimet për ndërtimin e mëtejshëm dhe arredimin e vilës janë marrë përsipër nga Arbër Abazi. Abazi është një biznesmen i cili zotëron kompaninë Alco Impex General Construction, kompani e cila ka marrë shumë tendera pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në kohën që ky institucion drejtohej nga zonja Balluku,” tha Lala.

Ajo shtoi se financimi i punimeve dyshohet se është bërë në këmbim të favoreve me tenderat publikë:

“Në rastin konkret që lidhet me vilën ka fituar si bashkim operatorësh ekonomik një nga lotet e Unazës së Madhe, një tender 22-23 milionë euro, dhe sipas SPAK në këmbim të këtij tenderi… zoti Abazi ka paguar shpenzimet për pjesën tjetër të ndërtimit që shkojnë nga 288.000 deri në 410.000 euro.”

Gazetarja shpjegoi gjithashtu rolin e partneres së Abazit, Lorela Reçi, dhe kujdesin e ekstremizuar për të fshehur emrin e Ballukut, duke përdorur emërtimin konfidencial “klienti specifik”:

“Lorela Reçi është bashkëjetuesja e Arbër Abazit e cila komunikon me kompaninë ndërtuese, kompaninë Green Coast, dhe komunikon që të dërgonte nënkontraktorët e vetë… dhe të dërgonte arkitektin e vet zotin Xhelila… Përveç se emailit të Alban Eftimit, gjithë pjesa tjetër në dosje thuhet klienti specifik. Pra ishin aq të kujdesshëm ata që merreshin me gjithë arredimin e ndërtimin e tjerë me radhë sa i referoheshin me klientin specifik… të gjitha faturat nga kompani të ndryshme… janë faturuar kompanisë së Arbër Abazit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button