AKTUALITET

“Dhjetëra raste kriminale të goditura”/ Policia publikon shifrat e prillit, 90 operacione dhe 571 të arrestuar

Nga goditjet ndaj drogës, te arrestimet në rrugë dhe aksionet kundër krimit ekonomik, prilli ka qenë një muaj i ngarkuar për Policinë e Shtetit, e cila ka zhvilluar 90 operacione në të gjithë vendin, duke çuar në arrestimin e 571 personave.

Sipas të dhënave zyrtare, 13 prej operacioneve të kryera gjatë muajit që lamë pas kanë pasur në fokus kapjen dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar. Gjatë prillit janë zbardhur 14 ngjarje kriminale dhe janë parandaluar 17 të tjera, ndërsa janë sekuestruar dhjetëra armë dhe materiale të rrezikshme, përfshirë 33 armë zjarri, granata, silenciatorë dhe lëndë eksplozive.

Në luftën kundër narkotikëve, policia ka sekuestruar rreth 10 kg kanabis, mbi 2000 fara kanabisi, 1.5 kg kokainë dhe tableta MDMA, si dhe ka asgjësuar një numër të konsiderueshëm fidanësh narkotikë.

Paralelisht, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë goditur 15 raste që përfshijnë mashtrim kompjuterik, kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.

Janë finalizuar gjithashtu 13 operacione për zbardhjen e vjedhjeve dhe 12 operacione kundër shfrytëzimit për prostitucion, si dhe 2 operacione për goditjen e transportit të paligjshëm të emigrantëve drejt vendeve të BE-së. Në fokus ka qenë edhe lufta ndaj lojërave të fatit, ku janë zbuluar 23 ambiente të paligjshme, ndërsa janë goditur 156 raste të ndërtimeve pa leje dhe 3 raste të ndotjes së ajrit.

Në rrugët e vendit, Policia Rrugore ka arrestuar 304 drejtues mjetesh, nga të cilët 170 për drejtim në gjendje të dehur dhe 134 pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë vendosur 93 645 gjoba. Ndërkohë, Policia Kufitare ka evidentuar 40 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 5 raste me dokumente false dhe 13 raste të trafiqeve të paligjshme.

Policia bën me dije se kontrollet dhe hetimet do të vijojnë intensivisht, në bashkëpunim me partnerët, për goditjen e krimit dhe rritjen e sigurisë në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button