Dhunohet shurdhmemeci, policia ndalon autorët e dyshuar

Lushnje – Një ngjarje e rëndë e ndodhur pak ditë më parë në Lushnje është raportuar ekskuzivisht për redaksinë tonë ditën e sotme. Ngjarja që ka tronditur qytetin ka ndodhur që mbrëmjen e së enjtes, më 20 mars 2025, por është bërë publike sot ekskluzivisht nga JOQ Albania.
Rreth orës 21:00, Fabjol Hysi, 44 vjeç, pjesë e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara (shurdh-memec), është sulmuar brutalisht nga dy të rinj.
Sipas burimeve ekskluzive për JOQ, dy agresorët, Enea Korreshi (17 vjeç) dhe Irdi Nasufi (20 vjeç), fillimisht e kanë trembur viktimën, teksa ky i fundit është detyruar të ndryshonte rrugën për t’i shmangur.
Më pas ata e kanë ndjekur, duke e goditur fillimisht me grushte. Situata ka përshkallëzuar edhe më tej kur Irdi Nasufi e ka goditur me një gur në kokë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Si pasojë, 44-vjeçari ka pësuar fraktura në kafkë dhe hemorragji në tru, ndërsa aktualisht po lufton për jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Duke qenë se viktima nuk mund të dëgjojë dhe të flasë, ai nuk ka pasur mundësi të kërkojë ndihmë. Fatmirësisht, kamerat e sigurisë së bizneseve pranë vendngjarjes kanë dokumentuar sulmin, duke ndihmuar në identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Ndërkohë, burime pranë familjarëve të viktimës pretendojnë se po tentohet të fshihet ngjarja, pasi nuk është raportuar në asnjë media, pavarësisht se bëhet fjalë për një tentativë të rëndë për vrasje. Ata kërkojnë drejtësi dhe që rasti të marrë vëmendjen e duhur nga autoritetet./JOQ
Policia
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit arrestuan në flagrancë shtetasit I. N., 20 vjeç dhe E. K., 23 vjeç, të dy banues në Lushnjë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me gurë, një 43-vjeçar, i cili aktualisht është në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.