Dita e tretë e grevës së urisë: shfaqen shenjat e para shëndetësore tek naftëtarët e Bankers (foto e video)

Marinzë – Protesta e naftëtarëve të kompanisë “Bankers Petroleum” po hyn në një fazë të rrezikshme, ndërsa greva e urisë që ka nisur prej tre ditësh tashmë ka filluar të japë pasojat e para mbi shëndetin e pjesëmarrësve. Katër prej grevistëve janë paraqitur me probleme shëndetësore, ndër to temperaturë të lartë dhe ulje tensioni, por pavarësisht gjendjes, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të tërhiqet nga qëndrimi ekstrem që kanë zgjedhur për t’u dëgjuar.
Sipas vetë grevistëve, vendimi për të hyrë në grevë urie ka qenë i vështirë, por i domosdoshëm, pasi kërkesat e tyre janë shpërfillur prej kohësh. Ata thonë se po kërkojnë vetëm të drejtat minimale që u takojnë — pagesat e prapambetura, respektimin e kontratave të punës dhe kushte të sigurta në vendin e punës. “Nuk kërkojmë lëmoshë, por djersën tonë të shpërblyer,” shprehen disa prej tyre, ndërsa qëndrojnë në ambiente të mbyllura, nën kujdesin e kolegëve që i mbështesin nga jashtë.
Kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve, Dritan Shaho, konfirmon se situata shëndetësore e grevistëve po përkeqësohet me kalimin e orëve. Ai paralajmëron se ditët në vijim mund të jenë edhe më të vështira, ndërsa apelon për ndërhyrjen e institucioneve shtetërore dhe për vendosjen e një stafi të përhershëm mjekësor pranë vendqëndrimit të grevës.




“Jemi të vendosur të qëndrojmë deri në fund,” — thotë Shaho. — “Kjo është një betejë për dinjitet dhe për të drejtat tona. Por, nga ana tjetër, kërkojmë që të respektohet jeta e këtyre njerëzve. Ditët e ardhshme do të jenë kritike, ndaj duhet të ketë një autoambulancë dhe personel shëndetësor në gatishmëri.”
Ndërkohë, efektet e grevës ndihen edhe në terren. Prej tre ditësh, rreth 400 puse të prodhimit të naftës janë lënë pa mbikëqyrje, pasi punëtorët kanë pezulluar aktivitetin në shenjë solidariteti me kolegët e tyre. Burime nga fusha naftëmbajtëse bëjnë me dije se për të garantuar një kontroll minimal të proceseve, janë vetë drejtuesit e kompanisë që kanë dalë në terren për të monitoruar situatën.
Në ambientet jashtë godinës ku ndodhen grevistët, dhjetëra punëtorë të tjerë qëndrojnë çdo ditë, duke bërë thirrje për dialog dhe zgjidhje. Protestuesit theksojnë se do të qëndrojnë në mbështetje të kolegëve të tyre deri në momentin kur kërkesat të marrin përgjigje konkrete.
Në Fier, atmosfera mbetet e tensionuar. Ndërsa orët kalojnë, shqetësimi kryesor është shëndeti i grevistëve, por njëkohësisht edhe pasojat që mund të ketë ndalja e prodhimit në sektorin e naftës.
Apeli i punëtorëve është i qartë: “Kërkojmë drejtësi, jo më premtime bosh.”
Kjo është hera e parë pas disa vitesh që punonjësit e këtij sektori i kthehen formës ekstreme të protestës — grevës së urisë — si një mjet për të bërë të dëgjohet zëri i tyre. Dhe ndërsa ditët kalojnë, me tensionin që rritet dhe gjendjen shëndetësore që rëndohet, ajo që mbetet për t’u parë është nëse kërkesat e tyre do të marrin më në fund përgjigjen e merituar, apo do të vazhdojë heshtja që i ka shoqëruar prej kohësh.









