Dosje e kopsitur për SPAK, Arben Shehu “groposi” 3 auditimet miliona euro të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe projektet e Vlorës

Në vijim të skandalit të përmasave të mëdha të publikuar nga Gazeta “SOT”, të dhënat zyrtare të nxjerra nga vetë Programet Mujore të Auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit zbërthejnë me detaje se si Arben Shehu e ka kthyer institucionin më të lartë të kontrollit financiar në një bunker manipulimesh administrativisht të kamufluara.
Nga tetori i vitit 2023 e deri sot, më 7 tetor 2026, KLSH nuk ka ushtruar kontroll, por ka realizuar një operacion kirurgjikal fshehjeje për tri nga dosjet më të nxehta të parave publike: auditimin financiar dhe të përputhshmërisë për vetë Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), si dhe dy projektet miliona eurosh në bregdet, “Restaurim dhe rikualifikim urban i ansamblit ‘Qendra Historike Vlorë’” dhe “Rikualifikimi i zonës urbane pranë Qendrës Historike të Vlorës”.
Kalvari 31-mujor
Loja e Arben Shehut me paratë e FSHZH-së dhe investimet e Vlorës nisi zyrtarisht më 9 tetor 2023. Sipas rregullave dhe kalendarit fillestar të KLSH-së, faza e terrenit dhe hartimi i raporteve duhet të mbylleshin me shpejtësi, ndërsa afati përfundimtar për dërgimin e raporteve përfundimtare te subjekti ishte caktuar data 28 shkurt 2024. Por ajo që duhet të ishte një procedurë standarde llogaridhënieje u shndërrua në një kalvar zvarritjesh që zgjati plot 2 vjet e 7 muaj (31 muaj rresht).
Për muaj me radhë, këto tre auditime figuronin rregullisht në çdo Program Mujor të Auditimit të publikuar në ueb-in e KLSH-së. Skema e shtyrjeve ishte thuajse mekanike: shtyhej faza e terrenit, shtyhej hartimi i projekt-raportit, shtyhej miratimi dhe në fund shtyhej dërgimi i raportit përfundimtar. Nga shkurti i vitit 2024, afatet u zhvendosën për në fund të vitit 2024, e më pas u hodhën përtej në vitin 2025. Kulmi i këtij mashtrimi publik u shënua në muajt gusht, shtator dhe tetor 2026: pasi i mbajti në kalendar për 31 muaj rresht, Arben Shehu vendosi thjesht t’i fshijë e t’i avullojë heshtazi të treja auditimet nga ueb-i zyrtar i KLSH-së, pa dërguar kurrë asnjë raport përfundimtar te FSHZH-ja.
Mashtrimi me “Dy Cikle”
Për të justifikuar vonesën skandaloze dhe për të mbuluar dështimin para opinionit publik e organeve mbikëqyrëse, kreu i KLSH-së shpiku trukun e ndarjes së kontrollit në “dy cikle”. Në fillim të vitit 2025, kur vonesa e ciklit të parë kishte kaluar çdo kufi ligjor, KLSH nxori në skenë tre auditime “të reja” me grupe të tjera audituesish, duke pretenduar se po niste një proces të ri. Tabela e periudhave të kontrollit zbardh qartë manovrën dhe mbivendosjen absurde:
Auditimi Financiar i FSHZH-së: Cikli i parë mbulonte periudhën 01.01.2022–31.12.2023. Në ciklin e dytë të shpikur nga Arben Shehu, periudha u caktua 01.01.2022–31.12.2024. Në vend që të auditonte vetëm vitin e ri 2024, KLSH riktheu edhe një herë nga e para vitet 2022 dhe 2023, të cilat supozohej se ishin audituar gjatë 15 muajve të ciklit të parë.
Projektet e Vlorës (“Qendra Historike Vlorë” dhe “Zona urbane pranë Qendrës Historike”): Cikli i parë mbulonte periudhën nga fillimi i projektit deri më 30 shtator 2023. Cikli i dytë mbuloi periudhën nga fillimi i projektit deri më 31 dhjetor 2024. Përsëri, e gjithë periudha e vjetër u fut sërish në mefe për të dytën herë. Kjo mbivendosje nuk u bë për cilësi kontrolli, por për të copëtuar kronologjinë e vonesës. Nëse auditimet do të vazhdonin me datën origjinale të nisjes (9 tetor 2023), do të shihej qartë se KLSH po mbante bllokuar dosjet e FSHZH-së për tre vite. Duke ndërruar grupet e auditimit dhe duke shpikur “Ciklin 2”, Arben Shehu centroi të krijojë iluzionin e dy kontrolleve të ndryshme, ndonëse bëhej fjalë për të njëjtat subjekte, të njëjtat projekte dhe të njëjtat vite financiare.
Dominoja e shtyrjeve deri te fshirja përfundimtare nga ueb-i
Edhe pse u tentua të maskohej prapa ciklit të dytë, sistemi i shtyrjeve doli krejtësisht jashtë kontrollit. Kalendari zyrtar i KLSH-së zbulon se si afatet e këtij “cikli të dytë” u shtynë hap pas hapi nga muaji në muaj:
l Vera 2025: Cikli i dytë vendoset në program por afatet e parashikuara shkelen menjëherë.
l Vjeshta e fundviti 2025: Raportet nuk dalin dhe afatet shtyhen për në fillim të vitit pasardhës.
l Marsi dhe Maji 2026: Afatet e ciklit të dytë shtyhen sërish dy herë rresht brenda pranverës së vitit 2026.
l Mjegulla e vitit 2026: Pasi dështuan edhe afatet e majit, KLSH hoqi muajt specifikë dhe e la datën thjesht me shënimin e përgjithshëm “2026”.
l Zhdukja në Gusht–Tetor 2026: Në muajt gusht, shtator dhe sot më 7 tetor 2026, të treja dosjet “u fshinë” përfundimisht nga Programi Mujor i Auditimit dhe nga faqja zyrtare e ueb-it.
Dosje për SPAK
E gjithë kjo prapaskenë 31-mujore e Arben Shehut nuk është thjesht një dështim menaxherial apo paaftësi burokratike, por një dosje e gatshme për t’u dërguar menjëherë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Shkeljet proceduriale, mbivendosja e qëllimshme e cikleve për të mbuluar vonesat ligjore, riauditimi i të njëjtave vite financiare dhe, mbi të gjitha, fshirja e heshtur e auditimeve nga ueb-i zyrtar pa nxjerrë asnjë raport përfundimtar përbëjnë indicie të rënda të shpërdorimit të detyrës dhe fshehjes së të dhënave zyrtare. SPAK ka përpara një skenar të qartë ku institucioni suprem i kontrollit financiar ka asgjësuar gjurmët e auditimit për miliona euro investime te FSHZH-ja dhe projektet e Vlorës.
Pyetja që godet drejtpërdrejt Arben Shehun nuk është më vetëm administrative, por penale: Pse u fshehën raportet, cili ishte pazari pas riauditimit të të njëjtave vite dhe për llogari të kujt u fshinë përfundimisht këto dosje nga ueb-i i KLSH-së? Hetimi i SPAK-ut është e vetmja rrugë për të zbardhur të vërtetën e këtij operacioni skandaloz./ SOT










