Një 57-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë nga policia e Vlorës pasi ka kërcënuar një 34-vjeçare me profesion gazetare, për publikimin e një lajmi për të. Policia bën me dije se gazetarja Afroviti Hysaj ka kallëzuar se është kanosur me fjalë nëpërmjet telefonit, për shkak të një lajmi që ajo ka publikuar, lidhur me rastin e 26-vjeçares nga qyteti i Vlorës, e cila dyshohet se është nxitur të përdorte lëndë narkotike nga disa shtetas, 3 prej të cilëve më pas dyshohen se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të.
Mësohet se në lidhje me ngjarjen, drogimin dhe përdhunimin e 26-vjeçares, është shpallur në kërkim për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”, edhe për shtetasin V. K., 36 vjeç, banues në Vlorë, dhe vijon puna për kapjen e tij. “Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit O. T., A. C. dhe G. M., për të nxitur 26-vjeçaren që të konsumojë lëndë narkotike”, – njoftojnë blutë e Vlorës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë referuar materialet në Prokurori dhe u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Kanosja”, shtetasi A. D., 57 vjeç, banues në Vlorë pasi: Shtetasja A. H., 34 vjeçe, banuese në Vlorë, me profesion gazetare, ka kallëzuar se është kanosur me fjalë nëpërmjet telefonit, nga ky shtetas, për shkak të një lajmi që ajo ka publikuar, lidhur me rastin e 26-vjeçares nga qyteti i Vlorës, e cila dyshohet se është nxitur të përdorte lëndë narkotike nga disa shtetas, 3 prej të cilëve më pas dyshohen se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të.
Gjithashtu në vijim të njoftimit të dhënë më datë 22.10.2023, për vënien në pranga të 2 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një shtetasi tjetër, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 26-vjeçare, të cilën paraprakisht e kanë nxitur të përdorë lëndë narkotike, sqarojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar hetimet e thelluara për këtë rast.
Në vijim, janë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”, edhe për shtetasin V. K., 36 vjeç, banues në Vlorë, dhe vijon puna për kapjen e tij. Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit O. T., A. C. dhe G. M., për të nxitur 26-vjeçaren që të konsumojë lëndë narkotike. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme” – thuhet në njoftimin e policisë.
Gazetarja Afroviti Hysaj bëri një koment në Facebook për ngjarjen që solli edhe një shkrim denigrues ndaj saj në faqen online të televizionit lokal “6+1”. Gazetarja raportoi se në përdhunimin e 26-vjeçares disa ditë më parë në Vlorë morën pjesë 4 djem dhe jo 3 siç raportoi policia. Sipas saj, autori i dyshuar i katërt është vëllai i drejtores së televizionit në fjalë. Ndërsa dy autorë të tjerë të dyshuar sipas saj i kanë motrat drejtoresha në Bashki. Ky shkrim ka bërë që të reagojë edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë që ka dënuar ngjarjen. Solidaritet për gazetaren kanë shprehur edhe shumë kolegë të saj.