Dyshimet/ Pse furgoni ku udhëtonin 2 shqiptarë u përplas ballas me kamionin

Çfarë ndodhi në aksidentin tragjik në Rumani ku humbën jetën 7 persona, tifozë të skuadrës greke të PAOK që ishin nisur për në Francë për të ndjekur skuadrën e tyre në sfidën me Lyon. Mes viktimave është edhe një person me origjinë shqiptare i identifikuar si Vasil Palo ndërsa një shqiptar tjetër i identifikuar si Genci Sadiku është plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Protothema” ngre pikëpyetje se si ndodhi që furgoni u përplas me kamionin që po vinte përballë? Një defekt mekanik, një kontakt me kamionin që sapo kishte parakaluar, apo diçka krejtësisht e papritur që i ndodhi shoferit të tij?
Policia rumune ka dhënë një version paraprak. Sipas autoriteteve të Timishoarës, duket se shoferi i minibusit, në përpjekje për t’u rikthyer në korsinë e tij pas parakalimit të një cisterne, e goditi ate lehtë, por kjo mjaftoi që ai të kalonte sërish në korsinë përballë duke u përplasur me kamionin.

Megjithatë, pamjet tregojnë se furgoni nuk duket se është goditur nga pas. Njëkohësisht, duket se shoferi nuk i ka përdorur fare frenat deri në momentin e përplasjes, pasi dritat e pasme nuk ndizen as për një sekondë. Nga kjo duket se shoferi jo vetëm që nuk bëri asnjë përpjekje për ta rikthyer automjetin në shina, por as nuk u përpoq të frenonte, duke u përplasur me shpejtësi të plotë mbi kamionin.
Edhe mundësia e një gome të shfryrë që e devijoi në rrugë bie, pasi shoferi ose do të ishte përpjekur ta rikthente makinën në korsinë e tij, ose do të kishte frenuar, gjë që nuk duket se e ka bërë.
Duke e parë me kujdes videon, shihet se pas parakalimit, shoferi përdor sinjalin e djathtë të kthesës për t’u rikthyer në korsinë e tij, por menjëherë pas kësaj ai përdor sinjalin e majtë të kthesës dhe rikthehet në korsinë përballë, për të vazhduar të parakalonte sikur të mos e kishte parë fare kamionin përballë.
Është gjithashtu e pamundur që ai të ketë rënë në gjumë, pasi sekonda para përplasjes fatale ai kishte tentuar të parakalonte. Nuk mund të fillosh një tejkalim dhe të flesh pikërisht kur pothuajse e ke përfunduar.
Duke qenë se nuk kemi asnjë provë tjetër deri më tani, shanset janë që shoferi të ketë qenë plotësisht i pavëmendshëm ose të ketë pësuar diçka patologjike (p.sh. një atak në zemër).
Kjo pistë përforcohet edhe sepse nga videoja duket se shoferi fillon procesin e rikthimit në korsinë e tij dhe papritmas, pa asnjë arsye të dukshme, makina kthehet në korsinë përballë dhe përplaset me kokë me kamionin.











