Ekstradohet nesër nga Dubai në Shqipëri reperi Kleviol Ahmeti

Ditën e mërkurë pritet të ekstradohet nga Dubai në Shqipëri reperi Kleviol Ahmeti, i njohur me pseudonimin “Cllevio”. Kleviol Ahmeti është ndaluar rreth 3 muaj më parë Emiratet e Bashkuara Arabe.
Siç raporton Express Rozë pranë burimeve të afërta me të, Cllevio, ai ka nënshkruar që të ekstradohet në Shqipëri dhe të perballet me akuzat të cilat pretendon se janë ngritur nga kundërshtarët e tij.
Ai është ndaluar pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare. Ai akuzohet si porositës i djegies së automjetit luksoze të personazhit të njohur të ‘TikTok’-ut, Kozak Braçi.
Policia ka arrestuar si autorë të ngjarjes shtetasit D. L., 40 vjeç, dhe M. L., 18 vjeç, të dy nga Vlora, ku sipas autoriteve, ata janë paguar 1500 euro nga Kleviol Ahmeti për t’i vënë zjarrin makinës së Kozak Braçit, në orët e para të 2 Dhjetorit të vitit 2023 në zonën e Alliasit në kryeqytet.
Gjithashtu, ndaj Kleviol Ahmetit ka bërë kallëzim në Polici edhe reperi Rigel Rajku (Noizy), së bashku me babain e tij, Bashkim Rajku, pasi sipas tyre, Cllevio u ka shkaktuar “një gjendje të rëndë ankthi dhe frike të vazhdueshme, me kërcënimet që u ka bërë në rrjetin e tij social Tik-Tok, ku është shprehur se do ta vrasë dhe do ta shkatërrojë” etj.
Ai pritet të ekstradohet nesër më datë 8 tetor në Tiranë nga Interpol, ku edhe do të zbulohet më shumë rreth situatës së tij.









