BOTA

Ekzekutoi tre persona në Malin e Zi dhe u arratis, autori rus vret veten

Një 30-vjeçar rus, i dyshuar për vrasjen e tre personave në një poligon qitjeje në Danilovgrad të Malit të Zi, është lokalizuar në një zonë pyjore mbi lagjen Topla, në Herceg Novi. Sipas autoriteteve, i dyshuari hapi zjarr ndaj policisë në momentin kur u rrethua dhe më pas qëlloi veten në kokë.

Drejtori i Policisë së Malit të Zi, Lazar Šćepanović, tha se Mihail Šabunjin, shtetas rus, u lokalizua nga forcat speciale të policisë, njësitë speciale, Qendra Rajonale e Sigurisë “Jug” dhe struktura të tjera të specializuara. “Pranë lagjes Topla, në pyll, ata lokalizuan dhe izoluan kërcënimin – autorin e vrasjes së trefishtë, i cili në momentin e arrestimit hapi zjarr dhe më pas qëlloi veten në kokë”, deklaroi Šćepanović.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur një ditë më parë në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka” në Danilovgrad. Sipas autoriteteve dhe informacioneve të publikuara nga “Vijesti”, 30-vjeçari vrau Nemanja Kapor, 20 vjeç, nga Podgorica, Petar Globarević, 24 vjeç, po nga Podgorica, si dhe Momir Radonjić, 67 vjeç, nga Danilovgradi, raporton Vijesti.

Të tre viktimat punonin në poligonin ku ndodhi sulmi. Sipas informacioneve të hetimit, pak para orës 17:00, Šabunjin dyshohet se qëlloi disa herë ndaj instruktorit të poligonit, Petar Globarević, dhe më pas e qëlloi në kokë. Pas kësaj, ai u kthye në pjesën e objektit ku bëhej dhënia me qira e armëve dhe vrau Radonjićin, përpara se të qëllonte edhe viktimën më të re, Nemanja Kaporin.

Sipas burimeve të përfshira në hetim, ndaj të tre viktimave janë qëlluar disa plumba. Masakrës arriti t’i mbijetojë pronari i poligonit, i cili në momentin e sulmit ndodhej duke fjetur në një prej ambienteve të objektit.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mënyrën se si autori ka përdorur armët. Një burim i përfshirë në hetim tha se 30-vjeçari kishte qëlluar me dy armë, duke përdorur të dyja duart. Megjithatë, nuk është bërë e qartë nëse kjo ka ndodhur gjatë sulmit apo në një moment tjetër, ndërsa kamerat e sigurisë e kanë regjistruar duke ushtruar qitjen.

Pas vrasjeve, Šabunjin dyshohet se ka marrë disa armë dhe municione nga poligoni dhe është larguar me një automjetin Seat Cordoba, me ngjyrë të zezë dhe targa PG-AC472.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button