Elton Marini, emër që la gjurmë në sportin fierak e shqiptar

Elton Marini, një emër që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar. Nga fushat e Fierit me Apoloninë, te Partizani i kryeqytetit, Marini ka ditur gjithmonë të jetë një figurë e denjë, një sportist model. Kontributi i tij i çmuar ka vijuar edhe pas karrierës si futbollist, si një nga menaxherët dhe drejtuesit më të përgatitur e më të respektuar në fushën e futbollit shqiptar e më gjerë.
Tek Apolonia e ngjiti ekipin në Superligë, ku krijoi ekipin simpatik që luante futboll sulmues, me lojtarët e huaj boshnjakë. Te Partizani doli kampion me djem të rinj dhe vlera në rritje të elementit të akademisë.
I arsimuar, me kulturë të gjerë profesionale dhe vizion modern për futbollin, Elton Marini flet rrjedhshëm 4-5 gjuhë të huaja, duke e bërë një nga figurat më të kompletuara në aspektin ndërkombëtar të futbollit. Ky aftësim gjuhësor nuk është vetëm një detaj formal, por dëshmi e horizontit të hapur, e një profesionalizmi që i ka munguar shpesh sportit tonë.
Një burrë fisnik, me mendje të kthjellët dhe parime të palëkundura. I drejtë, i ndershëm dhe me integritet të rrallë, në një mjedis ku shpesh dominojnë stërkëmbëshat, mashtrimi dhe hipokrizia. Marini ka zgjedhur gjithmonë rrugën e vështirë, atë të meritokracisë dhe punës së ndershme, edhe kur kjo i ka kushtuar pozicione të lakmueshme apo lavdi të lehtë.
Fatkeqësisht, si shumë figura të ndershme në këtë vend, sot ai qëndron disi në hijet e një harrese të padrejtë, i rrethuar nga një mosmirënjohje tipike “alla shqiptare”. Gjithsesi, vlerat e vërteta nuk zbehen nga zhurma apo heshtja e të tjerëve. Kontributi i tij mbetet si një shtyllë e fortë e futbollit dhe menaxhimit modern në këtë sport, në Shqipëri.
Elton Marini është dhe do të mbetet një histori suksesi. Një model profesional e njerëzor, aset i çmuar që meriton më shumë respekt dhe vëmendje. Koha do t’i japë vendin që meriton. Disa e kuptojnë vonë, disa kurrë, por historia nuk harron. Sporti Shqiptar