Po synon Elvana Gjata të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovizion 2023? Kjo nuk do të jetë hera e parë për artisten, pasi në Festivalin e Këngës e vitit 2019 ajo doli e dyta, edhe pse ”Me Tana”, u pa si fituese.
Por tani Elvana mund të provojë shancin jo vetëm, por në bashkëpunim me Dhuratën Dorën. Lajmi është bërë i ditur nga faqja në Instagram “Eurovision Kosovo”, të cilët shkruajnë se jo zyrtarisht mësohet se Elvana dhe Dhurata janë pranuar të jenë pjesë e FEST61, ndërsa RTSH-ja ka vendosur që për herë të parë kënga fituese e Festivalit të Këngës të zgjidhet edhe përmes televotimit.
Ajo që ka shtuar më shumë dyshimin se lajmi mund të jetë i vërtetë është një “like” në listën e njerëzve që e kanë pëlqyer postimin, pikërisht nga Ilir Balija, menaxheri i Dhurata Dorës, por gjithsesi pritet konfirmimi zyrtar, që me gjasë do të vijë pas disa ditësh kur të publikohen projektet pjesëmarrëse në Festival.
Diçka është e sigurtë! Nëse lajmi rezulton të jetë i vërtetë dhe Dhurata Dora me Elvana Gjatën do të konkurrojnë për të na përfaqësuar në Eurovizion, ato do t’i vënë flakën skenës!