EMRI/ FNSH e ruante në Fier, ‘Titi’ përplaset me policinë dhe plagoset në Athinë

Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të së shtunës në Mikrolimano të Athinë.
Rreth orës 05.30, efektivë të stacionit të Pireut, konsideruan të dyshimtë një burrë që ndodhej jashtë një dyqani në Mikrolimano dhe u përpoqën ta kontrollonin atë.
Në përpjekje për t’u arratisur, i dyshuari i drejtoi armën një oficeri policie.
Njëri nga oficerët e policisë u kundërpërgjigj duke përdorur armën e tij të shërbimit, dhe plagosur autorin, i cili u transportua në spitalin “Attikon”.
Në vendin e ngjarjes policia gjeti 3 armë zjarri dhe 6 granata, që dyshohet se i përkisnin autorit.
Pas transportimit në spital, i dyshuari është identifikuar si Alesio Xhelo, 41 vjec, nga Fieri, i njohur ne Greqi si “Titi”, person me precedentë të rëndë penalë. Ai më parë ka përdorur edhe emrin Astrit Hasani.


Foto të fundit të Alesio Xhelo të publikuara ne rrjetin e tij social Tik – Tok. Dyshohet se pavarësisht akuzave të rënda, drejtësia shqiptare e kishte lënë të lirë atë pasi në Tik – Tok në 24 tetor 2025 ka publikuar një video, duke dalë nga një Komisariat shqiptar policie e duke u përqafuar me familjarë, ndërsa me pas shfaqet në mjedise të ndryshme në qytetin e Sarandës.
Dyshohet se në muajt e parë të këtij viti para se të kalonte ilegalisht kufirin për Greqi, pasi aty ishte person i shumëkërkuar, Alesio Xhelo qarkullonte në qytetin e Sarandë ku edhe strehohej.
Nuk dihet se si Xhelo ka përfunduar në Greqi, pasi të paktën deri vitin e kaluar ai ndodhej në “Arrest shtëpie” në Fier me mbikëqyrje 24 orë nga FNSH, nën akuzat “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë.
Madje në 30 mars 2025, ai ishte arrestuar pasi kishte kanosur duke sharë, ofenduar dhe kërcënuar punonjësin e policisë të Forcës Kombëtare të Sigurisë , Njësia Fier, i cili ishte në shërbim, në mbikëqyrje të këtij shtetasi.
Xhelo ishte izoluar në banesën e tij në Fier pasi ishte person i shpallur në kërkim në Greqi për akuzat e mësipërme. Ai ishte arratisur nga burgu i Petro Ralli në Greqi në qershor 2019 bashke më dy të burgosur të tjerë, duke arritur të marrë peng një gardian. Ai ndodhej në burg, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një greku dhe i përfshirë në 8 shkëmbime zjarri me policinë në Greqi, si dhe në dhunimin e gruas se një diplomati të huaj gjatë grabitjes së shtëpisë së tyre dhe në rrëmbimin e një të riu që e liroi pasi mori shumë para nga familja e tij.

Pas arratisjes, ai mbërriti në Shqipëri dhe në tetor 2019 u arrestua në Vlorë me një pistoletë pa leje. Drejtësia greke dërgoi dosjen e tij në Shqipëri, dhe gjykata vendosi ndaj tij masën “Arrest shtëpie” për akuzat që kërkohej në Greqi, konkretisht “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë”. Këtë masë ai e kryente në banesën e tij në Fier nën mbikëqyrjen e FNSH.











