Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIEuro prek rekord të ri, sot këmbehet me 116.85 Lekë

Euro prek rekord të ri, sot këmbehet me 116.85 Lekë

Euro e mbylli këtë javë me një rekord të ri në kursin e këmbimit me Lekun.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 116.85 Lekë, nga 117.25 Lekë që kishte qenë kursi i monedhës Europiane në fund të javës së kaluar. Agjentët besojnë se në këtë periudhë kursi i Euros do të vazhdojë të jetë në efektin e faktorëve sezonalë, të lidhur kryesisht me turizmin.

Të dhënat e deritanishme dëshmojnë për një rritje të ndjeshme të turizmit në pjesën e parë të këtij viti. Mbështetur në të dhënat e INSTAT, për periudhën janar-maj, numri i vizitorëve në strukturat akomoduese është rritur me 66% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri janë rritur me 55%.

Në tërësi, pozitat e forat të Lekut në pjesën e parë të këtij viti besohet se janë mbështetur edhe nga një përmirësim në bilancin e pagesave, që, të paktën deri në fund të tremujorit I, dëshmohet edhe statistikat e Bankës së Shqipërisë (deficiti i llogarisë korrente u ngushtua 22% me bazë vjetore).

Aktualisht, kursi EUR-LEK paraqitet në rënie me 4.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke pasur parasysh tendencat historike në këtë periudhë të vitit, ekspertët e tregut presin që Euro të pësojë ende një rënie në javën e fundit të korrikut dhe në pjesën e parë të muajit gusht, ndërsa më tej, deri në fillim të vjeshtës, mund të ketë një korrigjim të lehtë në rritje, duke paqyruar zbehjen e faktorëve sezonalë.

Një zhvillim i rëndësishëm i lidhur me Euron ishte rritja e normës bazë ditën e djeshme nga Banka Qendrore Europiane. Në teori, rritja e normës bazë të monedhës ndikon që mbiçmimin e saj në kursin e këmbimit me valutat e tjera. Por, ekspertët nuk presin që kjo lëvizje të ketë ndonjë ndikim në kursin me Lekun, që mbështetet kryesisht në raportet e kërkesës dhe ofertës në tregun e brendshëm.

Rritja e normës bazë të Euros mund të japë më shumë ndikime që kursin e valutave të tjera të rëndësishme ndaj Lekut. Duke qenë se Euro është valuta referuese për ekonominë shqiptare, kursi i të gjitha monedhave të tjera përcaktohet nga raporti i tyre me Euron.

Zakonisht, tregjet e huaja lëvizin mbi bazë të pritshmërive dhe rritja e normës bazë të interesit nga BQE-ja ishte faktorizuar prej ditësh në kursin e këmbimit mes Euros dhe Dollarit.

Pasi 10 ditë më parë preku nivelet më të ulëta historike ndaj dollarit, në vijim Euro fitoi lehtësisht terren ndaj monedhës së gjelbër, mbështetur pikërisht në pritshmërinë (e paralajmëruar nga vetë BQE) e rritjes së normave të interesit.

Kjo u reflektua edhe në një rënie të lehtë të kursit USD-LEK. Dollari e mbylli këtë javë në vlerën e 115.1 Lekëve, nga 116.72 Lekë që kishte qenë në fund të javës së kaluar.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME