AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Fermerët e Frakullës: Mbi 300 dynymë sera luleshtrydhesh nën ujë nga vërshimi i Vjosës, protestë për dëmshpërblim.

Fier – 25 ha sipërfaqe toke e kultivuar në serat me luleshtrydhe të fermerëve të Kafaraj, në njësinë administrative Frakull, janë nén ujë nga dalja nga shtrati e lumit Vjosë. Përmbytjet kanë dëmtuar rreth 60 kultivues të cilet pohojnë se uji në sera ka arritur në nivelin e dy metrave, si asnjëherë më parë teksa theksojnë se luleshtrydhja tashmë është në fazën e prodhimit te saj.

Mbi 300 dynymë sera me luleshtrydhe, në pronësi të fermerëve të zonës Frakull, kanë përfunduar nën ujë si pasojë e vërshimit të lumit Vjosë, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike. Përballë kësaj situate alarmante, fermerët kanë dalë në protestë pasditen e sotme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga qeveria dhe dëmshpërblim të plotë për humbjet e pësuara.

Sipas tyre, kjo është hera e pestë që biznesi i tyre përmbytet nga prurjet e Vjosës. Fermerët pohojnë se dëmshpërblimet nga qeveria janë dhënë në mënyrë të pjesshme dhe të pabarabartë: herë janë premtuar e herë nuk janë ekzekutuar, ndërsa disa prej tyre nuk kanë marrë asnjë pagesë.

“Jemi dëmtuar fillimisht nga ngricat e muajit dhjetor dhe janar, ndërsa tani përballemi me përmbytjen. Askush nuk ka ardhur të verifikojë dëmet, të ngrejë një ekip në terren apo të flasë për dëmshpërblim,” shprehen fermerët.

Ata theksojnë se i gjithë prodhimi ka shkuar dëm dhe nuk ka më asnjë mundësi për të nxjerrë luleshtrydhe në treg.

Situata konsiderohet katastrofike, me humbje të rënda financiare që rrezikojnë seriozisht vazhdimësinë e aktivitetit të tyre.

“Kjo është një goditje fatale për ne. Po dalim me humbje totale,” deklarojnë fermerët e serave të luleshtrydheve në Frakull të Fierit, duke kërkuar përgjigje dhe veprim konkret nga institucionet shtetërore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button