Ferras në alarm: Uji ende në banesa, shkatërron orendi dhe ngordh qindra shpezë.

Fier – Përmbytjet nuk ndalen, banorët të dëshpëruar: “Kjo është më e rënda që kemi përjetuar”
Pavarësisht ndërhyrjeve emergjente të një dite më parë, situata në fshatin Feras vijon të mbetet kritike. Uji ka rikthyer sërish praninë e tij në dhjetëra banesa, duke lënë pas dëme të mëdha materiale dhe humbje në blegtori e shpezë.
Uji prezent në banesa, ndërhyrjet pa efekt të qëndrueshëm
Banorët e fshatit Feras vazhdojnë të përballen edhe sot me përmbytjet në banesat e tyre, pavarësisht ndërhyrjes së djeshme nga punonjësit e bashkisë dhe shërbimi zjarrfikës, të cilët punuan me pompa për largimin e ujit nga shtëpitë e përmbytura.
Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, një pjesë e konsiderueshme e banesave janë gjetur sërish nën ujë, duke e përkeqësuar më tej situatën për familjet e prekura.
Dëme të rënda në orendi dhe shpezë
Dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme. Banorët raportojnë humbje të mëdha në mobilje, pajisje elektro shtëpiake dhe ushqime, por veçanërisht alarmante mbetet situata në shpezët e mbajtura në oborre.
Sipas banorëve, në disa familje kanë ngordhur nga 5 deri në 10, por edhe 20 apo më shumë pula, ndërsa shumë prej tyre ende ndodhen në ujë, pa asnjë mundësi shpëtimi.










“Kemi humbur gjithçka, uji na u kthye prapë brenda natës. Pula të ngordhura, orendi të shkatërruara, s’kemi ku të shkojmë.”
“Përmbytja më e rënd ndër vite”
Sipas banorëve, kjo përmbytje është më e madhja dhe më e rënda që kanë përjetuar ndër vite. Ata kujtojnë se edhe në përmbytjet e kaluara kanë përfituar dëmshpërblime nga shteti, disa më pak e disa më shumë, por gjithsesi kanë marrë kompensim për dëmet e shkaktuara.
Aktualisht, sipas tyre, komisionet përkatëse ende nuk kanë qenë në terren për të konstatuar zyrtarisht situatën dhe për të bërë vlerësimet paraprake të dëmeve.










“Presim shtetin, si herët e tjera. Nuk dimë sa do të dëmshpërblehemi, por dëmet janë shumë të mëdha.”
Banorët në pritje të dëmshpërblimit
Familjet e prekura shprehen se ndodhen në pritje, pa asnjë informacion të qartë se sa do të jetë masa e dëmshpërblimit që do të përfitojë çdo familje, ndërsa jetesa në këto kushte është bërë thuajse e pamundur.
Ata kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë dhe mbështetje konkrete nga shteti, pasi përmbytjet kanë paralizuar jetën normale në fshat.
Toka bujqësore nën ujë edhe nga Semani





Nga ana tjetër, prurjet e lumit Seman kanë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore të mbjella me prodhime të stinës në zonat Suk 1, Belinë dhe Kallm, të cilat ndodhen brenda argjinaturës së lumit.
Edhe këtu, fermerët raportojnë dëme të mëdha dhe humbje të pritshme të prodhimeve, duke shtuar shqetësimin për pasojat ekonomike të kësaj situate. / ALB365/ Xhemil Beharaj











