Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës votoi PRO që anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Reagimet ishin menjëherë të shumta. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi në rrjetet sociale se kjo është një ditë e madhe për Kosovën.
“Një ditë e madhe për Kosovën, vota në favor të aplikimit tonë për t’u bashkuar me Këshillin e Evropës. Ky është një miratim kumbues i rekordit të shtetit tonë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, duke e sjellë Republikën e Kosovës një hap më afër anëtarësimit të plotë”, – është shprehur Kurti.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Përmes një reagimi në “X”, Osmani ka falënderuar deputetët e Asamblesë.
“Faleminderit të gjithëve deputetëve të Asamblesë Parlamentare të KiE që votuan pro Kosovës anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës sot! Një falënderim i madh për delegacionin tonë dhe të gjithë ata që mbështesin vazhdimisht popullin e Kosovës. Edhe një hap!”, shkruan Osmani.
Në Tiranë kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është një hap historik për Kosovën, ndërsa shprehur falënderimin për të gjithë miqtë dhe partnerët në Asamblenë Parlamentare që i dhanë Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës.
“NJË HAP HISTORIK SAPO U HODH NË ASAMBLENË PARLAMENTARE TË KËSHILLIT TË EUROPËS PËR PRANIMIN E KOSOVËS SI ANËTAR I KOMUNITETIT TË SHTETEVE TË KiE. Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës. Tani hapi i fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur: VULOSJEN E KËTIJ ANËTARËSIMI pa të cilin mozaikut europian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm” – shkroi Rama.
Një reagim bëri edhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj.
“Përshëndes vendimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE). Falënderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë mbështetur kërkesën e drejtë të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Tashmë pritet vetëm hapi final në maj, i cili shënon edhe momentin e merituar për të festuar” – shkroi presidenti në Facebook.Ndërsa në Beograd, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se 16 prilli është “ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”. Radiotelevizioni i Serbisë (RTS) e citoi Daçiqin të ketë thënë se Serbia do ta vazhdojë luftën e saj “me të gjitha forcat” në mënyrë që vendimi të mos miratohet në Komitetin e Ministrave më 16 maj.
“Ne do ta shohim vlerën e fjalës që bashkësia ndërkombëtare ia dha presidentit Aleksandar Vuçiq, se Kosova nuk do të pranohej në Këshillin e Evropës derisa ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndryshe do të jetë gënjeshtër përsëri”, – ka thënë Daçiç.
Me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg. Fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës tashmë do ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj