SPAK merr në dorë “vjedhjen e shekullit” nga Bankers Petroleum

Pas më shumë se dy dekadash abuzimesh me pasuritë nëntokësore të vendit, “Bankers Petroleum” do të hetohet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencë dhe ka dorëzuar dosjen voluminoze të hetimeve, që përfshin 14 persona të dyshuar, mes tyre zyrtarë të institucioneve publike dhe përfaqësues të kompanisë koncesionare kanadeze.
Hetimi për dëmin kolosal ndaj shtetit
Në qendër të hetimit ndodhet dëmi ekonomik i shkaktuar shtetit shqiptar për më shumë se 20 vite nga mënyra e shfrytëzimit të fushës naftëmbajtëse Patos-Marinzë, një nga zonat më të pasura me hidrokarbure në Ballkan.
Sipas dosjes, janë shitur rreth 532 miliardë lekë naftë nëpërmjet skemave të dyshuara mashtruese, me mosraportim fitimesh, evazion fiskal, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Prokuroria lokale “dorëzon armët”
Në vendimin e dorëzimit të çështjes, Prokuroria e Fierit arsyeton se “rasti tejkalon kompetencat lokale”, për shkak të shkallës së lartë të dëmit ekonomik, përfshirjes ndërkombëtare dhe strukturës së organizuar të veprimtarisë.
Kjo do të thotë se SPAK tashmë do të hetojë “vjedhjen e shekullit”, siç është quajtur nga ekspertë të fushës, duke analizuar të gjitha marrëdhëniet kontraktuale midis qeverive shqiptare dhe kompanisë “Bankers Petroleum”.
Një dosje që mund të tronditë themelet e sistemit
Sipas burimeve të Publik.al, dosja përmban prova të rëndësishme që lidhen me raportimet financiare të manipuluara, shmangien e detyrimeve tatimore, si dhe pagesa të dyshimta ndaj zyrtarëve të lartë ndër vite.
Burime të afërta me hetimin thonë se në këtë fazë, SPAK pritet të thërrasë ish-zyrtarë të Ministrisë së Energjisë dhe AKBN-së, përfshirë ish-drejtues që kanë nënshkruar shtesat e kontratave koncesionare.
Një kthesë e vonuar, por e domosdoshme
Pas vite të tëra akuzash, denoncimesh dhe hetimesh të bllokuara, kalimi i çështjes tek SPAK shihet si një hap i rëndësishëm drejt transparencës dhe ndëshkimit të abuzimeve me pasuritë kombëtare.
Nëse provat konfirmohen, rasti “Bankers” mund të shënojë skandalin më të madh ekonomik në historinë e shtetit shqiptar, me pasoja që shkojnë përtej sistemit të drejtësisë deri në themelin e marrëdhënieve shtet-biznes./ Publik.al












