Kisha Ortodokse Serbe ka njohur zyrtarisht autoqefalin e Kishës Ortodokse Maqedonase.
Ngjarja e cila i jep fund përçarjes mes ortodoksëve të lindjes u shënua të martën në një liturgji të mbajtur nga kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Në fjalën e tij ai tha se pas përfundimit të dokumenteve ligjore do të përgatitet një akt zyrtar i cili do u drejtohet edhe kishave të tjera ortodokse.
Patriarku serb tha se priste që edhe kishat e tjerë ta njihnin pavarësinë e Kishës Maqedonase.
Porfirije: Vëllezër dhe motra, jemi të sigurt se edhe kishat e tjera lokale do ta mirëpresin autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit.
Kryepeshkopi i Ohrit dhe gjithë Maqedonisë Stefani falënderoi anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Serbe për njohjen e autoqefalisë.
Për presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski vendimi i 24 majit është historik dhe do të kontribuojë në korrigjimin e padrejtësive historike.
Edhe kryeministri Kovaçevski nga Roma, ka dërguar një mesazh urimi në të cilin evidentoheshin vlerat autentike të identitetit maqedonas përmes vendimit të Kishës Serbe.
Edhe lideri i opozitës, nga radhët e VMRO-së, zoti Hristjan Mickoski gëzon të njëjtin mendim.
Të dy vendet dhe dy kombet kishtare e shënuan këtë liturgji si një akt historik, i cili vërtetoi tejkalimin e përçarjes 55-vjeçare ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj Maqedonase.
Më 9 maj, Patriarkana Ekumenike e njohu Arqipeshkvinë e Ohrit si kanonike.