Gjykata e Fierit cakton arrest në shtëpi për këngëtarin Erind Xhaferaj

Fier – Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi” për këngëtarin fierak Erind Xhaferaj, i cili u arrestua dy ditë më parë, pas një denoncimi të bërë nga nxënëse të shkollës artistike “Jakov Xoxa”.
Sot, Xhaferaj është paraqitur para trupit gjykues, të përbërë nga gjyqtari Noel Veizi, për t’u njohur me masën e sigurimit të kërkuar nga Prokuroria.
Gjatë seancës gjyqësore, Erind Xhaferaj ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij, duke deklaruar se ato nuk janë të vërteta.
Prokuroria, e përfaqësuar nga prokurori Skerdi Sinanaj, kishte paraqitur dy kërkesa në gjykatë: vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” për të dyshuarin E.Xh.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata ka pranuar të dyja kërkesat e Prokurorisë.
Në arsyetimin e vendimit, gjyqtari i çështjes, Noel Veizi, pasi ka dëgjuar pretendimet e akuzës dhe të mbrojtjes, ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet dhe rrethanat për aplikimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Megjithatë, gjykata ka caktuar masën “arrest në shtëpi”, pasi, sipas arsyetimit të vendimit, neni 244, pika 3, i Kodit të Procedurës Penale nuk i jep gjykatës mundësinë të caktojë një masë më të rëndë sigurimi se ajo e kërkuar nga Prokuroria.

Erind Xhaferaj u arrestua dy ditë më parë, pasi dyshohet se ka kryer veprime të turpshme pranë shkollës artistike “Jakov Xoxa” në Fier.
Rasti është denoncuar nga nxënëse të shkollës. Pas telefonatës së marrë, efektivët e Policisë kanë verifikuar rastin dhe kanë bërë ndalimin e këngëtarit, i cili është shoqëruar në ambientet e Policisë së Fierit, ku është marrë në pyetje.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa ndaj Xhaferajt vlen parimi i prezumimit të pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.










