Gjyqe dhe sherre/ Të gjithë pas “arit” që la pas Diego Armando Maradona

Ai la pas momente të paharrueshme të “magjisë” së futbollit. Por edhe shumë histori (vetë)shkatërrimi, të cilat tabloidët “e uritur” dhe tifozët kuriozë i deshën dhe i lakmuan. Diego Armando Maradona u nda nga jeta më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, por “trashëgimia” e tij nuk ishin vetëm gola, driblime dhe gjeste që mbeten të pashlyeshme në mendjet e tifozëve të tij besnikë. Ata nuk harrojnë as veset e tij që nuk shuhen lehtë.
Gjyqi, filmi dhe sekuestrot e pasurisë së motrave të tij
Fillimisht ishte gjyqi ndaj stafit mjekësor që u akuzua për neglizhencë në vdekjen e tij. Prokurorët pretendojnë se kujdestarët ishin “të pamatur dhe jashtëzakonisht të papërshtatshëm” me rolin e tyre, duke mos ofruar kujdes të përshtatshëm.
Ata përballen me një dënim me burg nga 8 deri në 25 vjet. Vetë të pandehurit pretendojnë se Maradona refuzoi trajtimin dhe injoroi këshillën e tyre për të qëndruar në shtëpi më gjatë pas operacionit në tru dhe para se jepte frymën e fundit nga pamjaftueshmëria e zemrës dhe edema akute pulmonare në një shtëpi jashtë Buenos Airesit.
Megjithatë, në fund të majit të kaluar, gjyqi u shty pa një afat kohor, pasi gjyqtarja Julieta Macindach dha dorëheqjen nga pozicioni i saj, pas kritikave për paraqitjen e saj në një dokumentar të quajtur “Drejtësi Hyjnore” në lidhje me çështjen.
Macindach tha se “nuk kishte zgjidhje tjetër” përveçse të hiqte dorë nga çështja. Ajo ishte një nga 3 gjyqtaret në procesin ndaj 7 profesionistëve të ekipit mjekësor të Maradonës. Gjyqtarja 47-vjeçare u akuzua nga prokurori Patricio Ferrari se u soll “si aktore dhe jo si gjyqtare” duke çuar në shtyrjen e çështjes.
Megjithatë, ky nuk është gjyqi i vetëm që “njollos” kujtimin e yllit të ndjerë të Napolit dhe ekipit kombëtar të Argjentinës. Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) raportoi se zyrtarët argjentinas sekuestruan asetet e dy motrave të Diegos, ish-avokatit të tij dhe 3 personave të tjerë.
Të gjithë akuzohen për mashtrim në menaxhimin e markës “Maradona”. Një gjykatë apeli në Buenos Aires ngriti padi ndaj ish-avokatit të tij, Matias Morla, dy asistentëve të tij dhe dy motrave të argjentinasit, Rita dhe Claudia, me një urdhër për sekuestrimin e 1.3 milionë dollarëve nga të gjithë të pandehurit.
Pretendimet e fëmijëve dhe ndarja e “byrekut” të paurisë
Gjykata vendosi që kompania tregtare që Morla e krijuar për të menaxhuar markën “Diegito” funksiononte si një “fasadë” dhe se në realitet vetë Maradona vazhdoi të ushtronte kontroll mbi asetet e tij deri në vdekje.
Prandaj, u vendos që ajo që i përkiste Maradonës “t’u kthehej menjëherë trashëgimtarëve të tij” dhe në këtë rast fëmijëve të tij, të cilët këmbëngulin se autoriteti për të menaxhuar markën duhej t’u ishte transferuar atyre.
Çështja në fjalë filloi në vitin 2021, kur dy nga vajzat e Maradonës, Dalma dhe Giannina, pretenduan se të pandehurit po përvetësonin markën tregtare të babait të tyre. Më pas tre nga fëmijët e Diegos iu bashkuan “betejës” ligjore.
Maradona kishte njohur si të tijtë vetëm 2 djem dhe 3 vajza nga 4 gra të ndryshme, por pas vdekjes së tij, dolën edhe 6 fëmijë të tjerë që pretendonin një pjesë të trashëgimisë së tij. Pavarësisht faktit se provat tregonin se “Diegito” kishte një pasuri me vlerë më shumë se 150 milionë dollarë, llogaria e tij personale kishte më pak se 100 000 dollarë në ditën e vdekjes së tij. Ai kishte probleme serioze me autoritetet tatimore italiane dhe u akuzua për evazion fiskal për vitet që kaloi në Napoli. Në vitin 2013, gjatë një vizite në Itali për një intervistë televizive, “Associated Press” raportoi se pasuria e tij kishte “shteruar” nga borxhet ndaj shtetit italian.
Gazeta “International Business Times” shkroi një ditë pas vdekjes së tij se marrëveshja e Maradonës me Napolin i dha atij 2.5 milionë euro. Ai fitoi 9 milionë të tjera nga marrëveshjet e sponsorizimit, të cilat me kursin e këmbimit të sotëm do të ishin rreth 25 milionë. Puna e tij e fundit si trajner ishte në Gimnasia La Plata në sezonin 2019-2020, por nuk ka të dhëna mbi të ardhurat e tij. Ndërsa kur ishte në stolin e Dorados, në Meksikë ai paguhej 125 000 euro në muaj dhe në rreth një vit fitoi 1.4 milionë euro.
Betejat ligjore për pasurinë e tij do të vazhdojnë, edhe pse thuhet se ai regjistroi një mesazh kur ishte në spital në ditët e fundit të jetës së tij, në të cilin tha: “Nuk do t’i lë asgjë askujt, do t’ua dhuroj gjithçka fondacioneve”.
Maradona ishte jokonvencional. Dikur u pyet se kush ishte më i madhi i të gjitha kohërave, midis tij dhe Pele.
Përgjigja ishte pikante: “Kjo nuk ka rëndësi. Dallimi ynë më i madh ishte se nëse të dy do të ishim në një ceremoni të veshur me kostume të bardha dhe një top me baltë do të vinte drejt nesh, Pele do të përpiqej ta shmangte atë. Ndërsa unë do ta kontrolloja me gjoks, me gju dhe do të gjuaja.”












