SHËNDET

Hemorragjitë cerebrale mund të dyfishojnë rrezikun e demencës

Një zbulim i ri sugjeron se personat që kanë përjetuar një hemorragji cerebrale duhet të monitorohen rregullisht për dëmtime të funksionit kognitiv, sipas shkencëtarëve amerikanë.

E njohur në mjekësi si hemorragji intrakraniale, hemorragjia cerebrale ndodh kur një enë gjaku çahet dhe çon në grumbullimin e gjakut në tru.

Studimi i ri tregon se ky fenomen mund të dyfishojë rrezikun e zhvillimit të demencës në fazat e mëvonshme të jetës.

Lidhja mes demencës dhe goditjeve ishemike, të shkaktuara nga mpiksjet e gjakut që bllokojnë furnizimin me gjak të trurit, është njohur prej kohësh.

Por ky studim, i publikuar në revistën Stroke, e shtrin këtë lidhje edhe tek hemorragjitë në tru.

Dr. Samuel Bruce, profesor asistent i neurologjisë në WeillCornell Medicine në Nju Jork, dhe autori kryesor i studimit, tha:”Ne shohim vazhdimisht një rrezik të rritur të demencës, pavarësisht nga lloji i hemorragjisë.”

Duke përdorur të dhëna nga sigurimet shëndetësore Medicare të mbledhura midis viteve 2008 dhe 2018, ekipi kërkimor analizoi mbi 14,000 persona që kishin përjetuar lloje të ndryshme të hemorragjisë intrakraniale, e cila shkakton grumbullim të gjakut në tru ose poshtë kafkës.

Megjithëse hemorragjitë mund të ndodhin pas traumave në kokë, studiuesit u përqendruan tek ato që ndodhën spontanisht.

Ata zbuluan se pacientët që kishin përjetuar një hemorragji në tru kishin një rritje dyfish të diagnozave të reja të demencësbrenda një periudhe mesatare prej 5.6 vitesh, krahasuar me mbi dy milionë persona që nuk kishin pasur hemorragji.

Këto rezultate përforcojnë studime të tjera që sugjerojnë se hemorragjitë në tru mund të çojnë në probleme të mëvonshme kognitive. Për shembull, një studim danez zbuloi se 11.5% e personave që përjetuan këputje të enëve të gjakut në tru zhvilluan më pas demencë, një rritje rreth 2.5 herë më e lartë krahasuar me popullatën e përgjithshme.

Në krahasim, goditjet ishemike të shkaktuara nga mpiksjet e gjakut rrisin rrezikun e demencës rreth 1.7 herë.

Dr. Santosh Murthy, profesor i asociuar i neurologjisë në WeillCornell Medicine dhe autori kryesor i studimit, tha se ka disa arsye pse hemorragjitë në tru mund të rrisin rrezikun e demencës.

Ai shpjegoi se hemorragjitë mund të shkaktojnë demencë në mënyrë të drejtpërdrejtë duke nxitur akumulimin e një proteine të quajtur beta-amiloid në tru dhe në enët e tij të gjakut, gjë që mund të dëmtojë funksionin e trurit.

Për më tepër, hemorragjia dhe demenca mund të jenë të lidhura në mënyrë të tërthortë, pasi faktorët e përbashkët, si dëmtimi kronik i enëve të gjakut në tru, mund të rrisin rrezikun për të dyja gjendjet.

Dr. Murthy shtoi: “Ndërsa po grumbullohet gjithnjë e më shumë prova se demenca mund të ndjekë hemorragjitë, duhet të marrim seriozisht pasojat e kësaj lidhjeje.

Për shembull, duhet të vlerësojmë me kujdes sigurinë e trajtimeve kundër beta-amiloidit për Alzheimerin te pacientët që kanë përjetuar hemorragji cerebrale duke e bërë këtë një prioritet kërkimor.”

Ekipi përfundoi se ndërsa trajtimet e reja për hemorragjitë në tru mund të ndihmojnë pacientët të jetojnë më gjatë pas një episodi të tillë, nevojiten më shumë studime për të kuptuar se si hemorragjitë ndikojnë në llojet e ndryshme të demencës. / Neuroscience News 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button