Histori e trishtë fierake/ Gruaja me epilepsi dhe burri me probleme të shëndetit mendor.

Dhjetori është muaji kur të gjithë mbyllin një kapitull me dëshirën dhe shpresën se Viti i Ri do të jetë më i mirë se ai që lihet pas.
Ky është muaji i festave, përqafimeve me dashuri dhe tavolinave të mbushura plot. Mirëpo, dhjetori nuk troket njësoj në çdo derë, sepse ka dhe nga ata që i kalojnë në heshtje këto ditë festash, pa pasur mundësinë të ndjejnë atmosferën e ngrohtë.
I tillë është dhe rasti i familjes Kapllanaj, nga fshati Buzmadh i Fierit. Kjo familje është e vogël, por sfidat me të cilat përballet çdo ditë janë shumë të mëdha. Fatbardha, gruaja e kësaj shtëpie, tregon për “Piranjat”, se prej 5 vjetësh banesa në të cilën ajo jeton me burrin dhe djalin 17-vjeçar, është gati në rrezik shembjeje.
Një pjesë e tavanit të banesës është rrëzuar përtokë, ndërsa dyshemja është e çarë pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj. Për këtë arsye, zonja 53-vjeçar, thotë se u detyruan të lëvizinin në një ambient tjetër, që më parë ju ka shërbyer si kasolle për mbajtjen e bagëtive.
“Flinin dhitë këtu dhe siç na ndodhi ajo gjë, kemi ikur dhe dritare s’ka, e kemi me plastmas ne aty. Plastmasi që ka qenë për bagëtitë, se nxirrnim plehun ne këtu. E tani kemi çuar një plastmas që e kemi izoluar. Mbyllim derën, futu në batanije, dridhu dhe kaq, ky është realiteti”, tregon Fatbardha.
Por akoma dhe më dramatik, është fakti se 53-vjeçarja vuan nga epilepsia, ndërsa bashkëshorti ka probleme të shëndetit mendor. Por pavarësisht se sëmundja i rikthehet herë pas here, Fatbardhës i është dashur që të kujdeset gjithmonë për të shoqin, i cili për shkak të gjendjes shëndetësore ka sjellje të luhatshme
Për t’i ardhur në ndihmë familjes dhe për të gjetur një zgjidhje për situatën e tyre, “Piranjat” ju drejtuan bashkisë së Fierit. Natasha Sollaku, specialiste e strehimit në bashki, tha se aktualisht ofrohet si mbështetje për familjet në nevojë programi i bonusit të qirasë.
“Aktualisht jemi duke ndjekur programin e bonusit të qirasë, ku familjet që kërkojnë mbështetjen me këtë program, duhet të plotësojnë një sërë dokumentash, të cilat mund të nxirren nga e-albania, kushti kryesor është që zonjës i duhet një kontratë qiraje me pronarin e shtëpisë, sepse pagesa i kalon direkt pronarit të shtëpisë. Brenda janarit rastet do të kalojnë për miratim në këshillin bashkiak”, tha specialistja e strehimit.









