I/E NDERUAR OPOZITAR/E! KUSH JE TI

Nga Përparim Gjeka
Nëse je anëtar apo votues i PD-së së Berishës, ti je një opozitar që beson se Berisha është më i mirë se Rama, por që në vetvete e di se, pasi i ke provuar të gjitha mënyrat për të ardhur në pushtet si opozita e vetme në vend kur mezi more 50 deputet, ke humbur besimin se pushteti do vijë përsëri; hera e fundit ishte para 20 vjetësh, në 2005, madje edhe atëherë u desh Xhuveli. Atëherë pse vazhdon t’i shikosh të gjithë opozitarët e tjerë si kundërshtarë edhe më të egër se sa banda në pushtet? E ke ndare mendjen te rrish 20 vjet ne opozite, se 16 jane pak?
Nëse mendon se duhet një opozitë e re, me figura të reja, të mirëshkolluara, me djem aktivistë sypatrembur që ia plasin në sy sistemit të gjithë të këqijat, koha të ikin të vjetrit e të vijnë të rinjtë edhe në moshë, ti je me Lapajn dhe Shabanin dhe mirë bën, por ata nuk u bënë deputetë as për vete, megjithë mbështetjen tuaj të pakushtëzuar.
Nëse mendon se zgjidhja opozitare vjen nga një e djathtë e re, e frymëzuar nga pasardhës të elitës së kombit para komunizmit, denoncuese pakompromis e korrupsionit qeveritar, parti e financuar mirë me mesazhe të qarta për punën e ndershme dhe ekonominë konkurruese, ti je votues i Agron Shehajt, i cili me punë dhe përpjekje do arrijë dyfishin e rezultateve elektorale herën tjetër me katër deputetë, por përkundrejt 94 të Edi Rames.
Nëse je i majtë dhe mendon se Partia Socialiste nuk të përfaqëson, por duhet një e majtë e fortë, afër problemeve të punëtorëve, kundër oligarkëve që po privatizojnë të gjitha burimet natyrore të vendit, po u pinë gjakun shqiptarëve dhe filipinasve dhe po mbajnë në këmbë një qeveri kapitaliste diktatoriale, ti ke alternativën e Arlind Qorrit; dhe me votën tënde herën tjetër Arlindi do bëhet deputet patjetër dhe pastaj do flasë si bilbil në parlament e ti do i këndosh “fol Arlind të lumte goja, fol e mbro të drejtat tona”, por vetëm kaq.
Nëse ti je një opozitar sovranist apo konservator, anti-vaksinë, anti-Soros, etj., edhe ti ke alternativën tënde të votës me Altin Goxhajn, e nëse jeton në Tiranë ti ke edhe rreth dy mijë shokë, plot për të bërë ndonjë denoncim apo protestë të vogël.
Nëse ti je një opozitar i flaktë dhe flakërimin tënd e tregon me shkrime apo thirrje të zjarrta kundër sistemit në rrjetet sociale dhe kënaqesh me veten se more 1k lajka (ndonjëherë edhe 1zero lajka), por jeton në emigracion dhe mendon se vetëm rruga jote për shpëtimin e Shqipërisë është e vetmja rrugë e drejtë, të gjithë të tjerët ia fusin kot, ti je thjesht një ujk i vetmuar që i dëgjohet kuisja në fshat, por askush nuk trembet prej teje.
Nëse ti je një opozitar i madh që të dhimbset atdheu, dëshiron të kontribuosh për të mirën e tij, por nuk di se si, sepse askush nga të sipërpërmendurit nuk ta mbush syrin dhe mendjen, kështu që ti nuk ndihesh, as nuk voton, ti në fakt po i bën shërbimin më të madh diktaturës “demokratike” që është instaluar në vend, sepse ti lejon pakicën të vendosë për shumicën.
Nëse ti je një opozitar që e kuptove vërtetë thelbin e asaj që është shkruar më lart, pavarësisht nëse e gjete veten apo jo në ndonjë nga grupet e opozitarëve të mësipërm, ti e di se të gjithë duhet t’i vëmë gishtin kokës, të bëjmë një hap prapa nga ato që mendojmë dhe një hap para me ato që kërkohet të bëjmë: bashkimet e forcave, njerëzve, ideve, financave, ëndrrave. Sepse të gjithë kemi të paktën të njëjtën ëndërr: Shqipërinë etnike, Shqipërinë zonjë e rëndë, pa liderë të rëndë mbi trupin e dhunuar të Nënës Shqipëri.
PERPARIM GJEKA
05.08.2025









