TECH

iPhone Duo kritikohet për mungesë risish, çmimi në Europë kalon 3,700 euro

Apple ka hyrë në tregun e telefonave të palosshëm me prezantimin e iPhone Duo, por pajisja e re tashmë ka ndarë fansat e teknologjisë.

Telefoni i parë i palosshëm i kompanisë sjell një ndryshim të madh nga dizajni tradicional i iPhone, por disa përdorues të rrjeteve sociale po e kritikojnë për pamjen, çmimin e lartë dhe faktin se shumë prej funksioneve të tij janë ofruar prej vitesh nga rivalët.

Në tregun britanik, çmimet variojnë nga 1,999 deri në 3,199 funte, që me kursin aktual përkthehen në afërsisht 2,326 deri në 3,722 euro.

Në SHBA, ndërkohë, çmimet janë nga 1,999 deri në 3,199 dollarë, që të konvertuara drejtpërdrejt janë afërsisht 1,720 deri në 2,755 euro.

Kjo nxjerr në pah një diferencë të konsiderueshme mes çmimeve në të dy anët e Atlantikut, megjithëse taksat dhe politikat rajonale të çmimeve ndryshojnë nga një treg në tjetrin.

Dizajni nuk i ka bindur të gjithë

iPhone Duo ka një ekran të jashtëm të rrumbullakosur prej 5.4 inçësh dhe një ekran të brendshëm prej 7.6 inçësh.

Megjithatë, dizajni nuk ka marrë vetëm reagime pozitive.

“Jam vetëm unë apo iPhone Duo duket vërtet i shëmtuar?”, shkroi një përdorues në X.

Një tjetër komentoi: “Pothuajse po mendoja ta blija iPhone Duo, por duket tmerrshëm”.

Kritika pati edhe për ekranin, me një përdorues që shkroi se pamja e tij nuk i pëlqente aspak.

Ngjashmëri të mëdha me Samsung Galaxy Z Fold8

iPhone Duo ka një formë të shkurtër dhe të gjerë, që hapet si libër, shumë të ngjashme me Samsung Galaxy Z Fold8.

Kur pajisja hapet, ekrani është më i gjerë sesa i lartë.

Ekrani i jashtëm dhe ai i brendshëm përdorin të njëjtin raport pamjeje 1:1.4, çka synon të shmangë deformimin e aplikacioneve apo krijimin e hapësirave bosh gjatë kalimit nga një ekran te tjetri.

Telefoni mund të përdoret në disa pozicione. Mund të lihet gjysmë i hapur për shikimin e filmave pa e mbajtur në dorë, ose pjesërisht i palosur për t’u përdorur ngjashëm me një libër.

Procesori i ri A20 Pro mundëson gjithashtu përdorimin e disa aplikacioneve njëkohësisht në pjesë të ndryshme të ekranit.

“Mund të jetë telefoni më i panevojshëm i krijuar ndonjëherë”

Problemi për disa fansa është se Apple po hyn në tregun e telefonave të palosshëm disa vjet pas Samsung dhe Google.

Për këtë arsye, disa përdorues kanë vënë në dyshim se sa inovative është në të vërtetë pajisja.

“iPhone Duo mund të jetë telefoni më i panevojshëm i krijuar ndonjëherë”, shkroi një komentues.

Një tjetër e përshkroi si një produkt shumë specifik me një çmim po aq të pazakontë, duke pyetur se cili është qëllimi real i tij.

Kritika pati edhe për emrin.

“Nuk mund ta besoj që e quajtën iPhone Duo. Kush e mendoi këtë emër?”, shkroi një përdorues.

Apple premton ekran pothuajse pa vijë palosjeje

Apple pretendon se një nga përparësitë kryesore të telefonit është mekanizmi i ri i palosjes, i cili duhet ta bëjë pajisjen më të qëndrueshme dhe të zvogëlojë vijën që zakonisht krijohet në mesin e ekraneve të palosshme.

iPhone Duo është ndërtuar nga titani dhe ofrohet në dy ngjyra: Night Sky dhe Star White.

Megjithatë, një vendim që mund të zhgënjejë disa përdorues është mungesa e Face ID. Pajisja përdor Touch ID për identifikimin dhe zhbllokimin.

Gjatë prezantimit, drejtuesit e Apple e përshkruan Duo-n si një nga ndryshimet më të mëdha në historinë e iPhone.

iPhone-i i parë me Apple Pencil

Një tjetër risi është mbështetja për Apple Pencil, një funksion i njohur nga iPad.

Kjo e bën iPhone Duo modelin e parë të telefonit të Apple që mbështet lapsin digjital të kompanisë.

Në pjesën e pasme ndodhet një kamerë prej 48 megapikselësh, e njëjtë me atë që përdoret në iPhone 18 Pro.

Krahas iPhone Duo, Apple prezantoi gjithashtu iPhone 18 Pro dhe iPhone 18 Pro Max, së bashku me modele të reja të Apple Watch dhe AirPods.

Megjithatë, iPhone Duo është pajisja që ka marrë pjesën më të madhe të vëmendjes, si për shkak të formatit të ri, ashtu edhe për çmimin.

Me një kosto që, sipas konvertimit të çmimeve britanike, fillon nga rreth 2,326 euro dhe arrin në afro 3,722 euro, telefoni i parë i palosshëm i Apple pozicionohet në segmentin më të shtrenjtë të tregut.

Tani mbetet të shihet nëse konsumatorët do ta konsiderojnë atë një hap revolucionar për iPhone apo thjesht hyrjen e vonuar të Apple në një kategori ku rivalët kanë vite që konkurrojnë. /GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button