Të gjithë e dimë atë tingullin e bezdisshëm që na ndërpret gjumin gjatë natës. Qoftë ne që gërhisim, qoftë dikush që fle pranë nesh, rezultati janë netë të shqetësuara, me një person që zgjon tjetrin për shkak të gërhitjes.
Strategjitë kryesore për të luftuar gërhitjen janë përdorimi i jastëkëve shtesë, pirja e ujit para gjumit dhe vendosja e një topi tenisi në pizhame për t’ju ndaluar të shtriheni në shpinë. Për më tepër, shiritat e hundës, zgjeruesit ose spërkatjet, një dush i ngrohtë para gjumit dhe madje edhe gjumi në një pozicion ulur janë disa nga praktikat më të njohura.
Ekspertja kryesore e gjumit në Australi, Dr Olivia Arezzolo rendit pesë këshilla shtesë që mund të mos i keni ditur, por ka të ngjarë të jenë një ndihmë e rëndësishme në përpjekjen tuaj për të reduktuar gërhitjen:
Ulni konsumin e alkoolit. Alkooli është i lidhur ngushtë me gërhitjen. Ai relakson muskujt në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, duke bërë që ata të “kolapsohen” gjatë natës, duke nxitur kështu gërhitjen.
Flini në anën tuaj. Nëse flini me shpinë, e përkeqësoni gërhitjen. Prandaj, përpiquni të flini në anën tuaj, një pozicion që do të ndihmojë në uljen e gërhitjes.
Mbani një peshë të shëndetshme. Ulja e peshës së atyre që janë obezë mund të përmirësojë ndjeshëm gërhitjen, apo edhe ta eliminojë atë.
Përdorni një zgjerues për hundët. Kjo është një zgjidhje e thjeshtë që mund të ndihmojë në lehtësimin e frymëmarrjes gjatë natës.
Përmirësoni cilësinë e ajrit. Rinovimi i rregullt i ajrit në dhomë zvogëlon rrezikun e gërhitjes që shkaktohet nga ndotësit e ajrit, të cilët ka të ngjarë të shkaktojnë acarim të rrugëve të frymëmarrjes, mbingarkesë dhe rritje të gërhitjes.