Jehonë në mediat e huaja: Dhunë përpara parlamentit shqiptar, Rama në provë

Përplasjet e dhunshme në protestën e paradites së të enjtes përpara parlamentit kanë bërë jehonë në mediat më të njohura ndërkombëtare.
“Protesta të përditshme janë mbajtur për më shumë se një muaj në Tiranë lidhur me dyshimet për korrupsion të lidhur me projekte të ndryshme zhvillimi përgjatë bregdetit dhe pranë zonave të mbrojtura. Qeveria mohon të ketë korrupsion.
Protestat janë një provë për kryeministrin Edi Rama, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013 dhe të cilin shumë e fajësojnë për moszhdukjen e korrupsionit të përhapur ose për mosbërjen e mjaftueshme për të përmirësuar shërbimet bazë si kujdesi shëndetësor” – shkruan Reuters.
“Përleshje të dhunshme shpërthyen midis policisë dhe demonstruesve jashtë parlamentit të Shqipërisë të enjten, ndërsa vazhdojnë protestat kundër një projekti të diskutueshëm në një vendpushim të lidhur me familjen e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump” – shkruan Euronews.
“Policia shqiptare përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në Tiranë, në një nga përballjet më të tensionuara që nga fillimi i tubimeve mbi projektet e zhvillimit bregdetar të lidhura me Jared Kushnerin një muaj më parë.
Demonstratat u bënë të dhunshme pasi një turmë e vogël pranë ndërtesës së parlamentit filloi të hidhte vezë dhe objekte të tjera drejt automjeteve që transportonin ligjvënës dhe ministra në një seancë plenare” – shkruan Bloomberg.
“Qindra demonstrues u përballën me radhët e policisë së trazirave, duke çuar në përleshje dhe arrestime. Sipas gazetarëve të AFP-së në vendngjarje, radhët e policisë së trazirave i shtynë ata prapa, duke çuar në përleshje dhe arrestime. Policia përdori gaz lotsjellës, sprej me piper dhe topa uji për të shpërndarë turmën, dhe disa protestues u përpoqën të kalonin radhët e oficerëve” – shkruan France24.
“Teksa protestat nisën nga çështjet mjedisore që lidhen me projektin e zhvillimit, ato janë shndërruar në demonstrata më të përgjithshme politike që shprehin kundërshtim ndaj qeverisë dhe kryeministrit socialist Edi Rama” – shkruan britanikja “The Independent”.
“Tubimi ishte pjesë e protestave të përditshme, të quajtura “revolucioni i flamingove”, që filluan më shumë se një muaj më parë në kundërshtim me planet për një projekt luksoz zhvillimi bregdetar të lidhur me Kushnerin” – shkruan ndër të tjera “Kathimerini”.










